Kombëtarja shqiptare e vajzave, vazhdon përgatitjet për dy ndeshjet ndaj Norvegjisë, të vlefshme për raundin e parë kualifikuese të “play-off” për Euro 2025.

Për këto sfida ka folur edhe trajneri i kuqezinjve, Amir Grima, i cili deklaroi se skuadra do të bëjë një paraqitje dinjitoze, pavarësisht kundërshtarit të vështirë që është përballë.

Ndër të tjera, Grima ftoi edhe tifozët në Shkodër, për të mbështetur ekipin ndaj Norvegjisë.

“Jemi përballë një ndeshje të fortë, me kualitet shumë të lartë. Luajmë me një kundërshtar i fortë për çdo ekip kombëtar në Europë, jo vetëm për ne si Shqipëri. Megjithatë, edhe këtu ku kemi mbërritur, është meritë e këtyre vajzave, jemi këtu falë mundit dhe sakrificës së tyre. Gatishmëria e vajzave që kemi në grup është e pëlqyeshme. Jemi si familje dhe kur rrimë shumë pa u grumbulluar na merr edhe malli për njëri-tjetrin. Kemi krijuar një grup të mirë për të ardhmen e ekipit kombëtar.

Ne do mundohemi që çdo gjë t’ia lëmë fushës dhe jam i bindur që Shqipëria do të japë çdo gjë që ka në fushë. Do të bëjmë një paraqitje dinjitoze, pavarësisht se kë kemi përballë. Norvegjia është ekip i vështirë për çdo ekip në Europë, jo vetëm për ne. Po ta shohim në letër, ato janë më të avantazhuar. Por ne jemi  në një pikë që po njohim rritje dhe hyjmë në fushë për të luajtur dhe për të marrë më të mirën.

Mesazhi im është që të mbështesim këto vajza, pasi kanë nevojë për tifozerinë shkodrane, për mbështetjen e tyre që ia japin në mënyrë të pakufizuar. Me ndihmën e zotit, t’i kënaqim dhe të dalim kokëlart nga stadiumi”, deklaroi Grima.

Ndeshja e parë Shqipëri-Norvegji, do të luhet në Shkodër, më 25 Tetor në orën 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi” ndërsa takimi i dytë do të zhvillohet më 29 Tetor, në stadiumin “Ullevaal” të Oslos, në orën 19:00. /tvklan.al