I pafajshëm është deklaruar ish-ministri i Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale lidhur me akuzat për pengim në administrimin e drejtësisë.

Ai para trupit gjykues ka thënë se këtë akuzë e sheh si prekje të dinjitetit të tij.

Ka thënë se  gjatë punës me Thaçin kanë “punuar dhe udhëhequr nga parimi i drejtësisë”.

“Në aktakuzë jam me Presidentin Hashim Thaçi, më lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi që vite të gjata dhe kemi punuar gjatë. Gjatë tërë punës së bashku ne kemi punuar dhe udhëhequr nga parimi i drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi”.

Ai akuzohet për ndikimin mbi dëshmitarët lidhur me një rast tjetër që ndiqet penalisht në këtë gjykatë.

Prokuroria ka thënë se me vonë gjatë ditës do të bëjë kërkesë që Kuçit t’i ndalohet komunikimi me personat që janë pjesë e aktakuzës, dhe persona tjerë që dyshohen se kanë lidhje me rastin.

Pjesë e aktakuzës së re janë edhe ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliu.

Tv Klan