Marrëveshja me Greqinë për përcaktimin e shelfit kontinental dhe hapësirës detare mes dy vendeve nuk i fal apo i rrëmben shtetit fqinj asnjë milje të hapësirës ujore shqiptare.
Dy nga negociatorët e marrëveshjes për palën shqiptare, pjesë e grupit të punës së ngritur 3 vjet më parë me urdhër të kryeministrit, kanë shpjeguar përpara një auditori të zgjedhur studentësh, pedagogësh, ekspertësh dhe intelektualësh të thirrur nga Universiteti Evropian, të gjithë detajet e draftit që është vendosur në qendër të debatit publik dhe atij politik.
Sipas ish-sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Jashtme, aktualisht diplomat përfaqësues i vendit tonë në OBK, Ferit Hoxha, debatet më të fundit mediatike janë mbështetur vetëm në hamendësime, sipas tij marrëveshja i shërben vetëm forcimit të marrëdhënieve dypalëshe mes 2 vendeve.
Ferit Hoxha: “Nuk ka asnjë pikë dyshimi jo në mendjen time, por në atë që do doja të ishte sa më përfaqësuese, pra të ministrisë së Punëve të Jashtme, se marrëveshja përfaqëson një moment me rëndësi jashtëzakonisht të madhe në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ka pasur një kufi të deklaruar nga pala jonë, por asnjëherë të negociuar, asnjëherë të ndarë, asnjëherë të përcaktuar me koordinata të saktësuara gjeografike. E vetmja vijë ndarëse me Greqinë është ajo që përcaktohet nga marrëveshja e nënshkruar në vitin 2009, nga kjo marrëveshje për të cilën po flasim. Është diskutuar në takime të drejtpërdrejta apo në distancë për të harmonizuar gjuhën e tekstit të marrëveshjes dhe në mënyrë të veçantë për të bërë matjet e nevojshme për ti riparë derisa kemi arritur në përfundimin që koordinatat e palës greke me koordinatat e palës shqiptare përputheshin. Atëherë është kaluar në fazën tjetër që është quajtur si tekst i mbyllur dhe i kënaqshëm për të dy palët.”
Ndërsa zëvendës shefi i përgjithshëm i forcave të armatosura admirali, Kristaq Gerveni ka shpjeguar në mënyrë të detajuar në mënyrë hartografike ndarjen që i është bërë hapësirës detare në bazë të marrëveshjes.
Ai ka hedhur poshtë pretendimet e shfaqura kohët e fundit në shtyp për ndryshim të koordinatave detare.
Kristaq Gerveni: “Ajo që thuhet nëpër media se i është falur Greqisë një sipërfaqe prej 354 km, një nga këto sipërfaqet është ky trekëndëshi këtu që është krijuar për shkak të spostimit të vijës ndarëse që është bërë. Pra ne si grup negociator nuk kemi falur asnjë metër këtu, koordinatat janë të dhëna në marrëveshje, të gjithë janë të lë lutur, edhe një detari thjeshtë, edhe një peshkatar i thjeshtë mund të hedhë koordinata në det dhe do shikojë, do binden që është kjo distancë që themi ne 39.8 km dhe jo 22 km.”
Hoxha dhe Gerveni kanë sqaruar se marrëveshja është e hartuar mbi bazën e konventave ndërkombëtare për hapësirat detare./tvklan.al