E sotmja ka qenë një ditë e veçantë për grupin e punës, përfaqësuesve të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Për emocionet e çeljes së negociatave me BE-në dhe jo vetëm, ka folur ekskluzivisht për gazetarin Besard Jacaj në Klan News ambasadori i Shqipërisë në Union Ferit Hoxha.


Këtë të Martë e cilësoi ditë madhore për vendin tonë e njëkohësisht një sfidë të re.

“Ka të bëjë me integrimin e Shqipërisë në BE dhe është diçka që duhet të na bëjë krenarë. Ata që ishin në Bruksel e ata që s’ishin, kanë kënaqësinë e këtij momenti fatlum pasi po konkretizohet gjithë ai mund e përpjekje ndër vite. E vërteta e prekshme e integrimit evropian, avancimi drejt anëtarësimit.”

Po çfarë është në vetvete hapja e negociatave?

“Janë përmbushur kushte, janë realizuar detyra. Hapja nuk vjen si dhuratë e BE për Shqipërinë, qeverinë apo për këdo. Vjen si rezultat i punës dhe reformave që janë bërë. Pasi janë bindur të 27 anëtarët që Shqipëria ka bërë mjaftueshëm…Hapja e një kantieri të madh ku do shihet çdo ditë, çdo javë, çdo muaj se çfarë bën Shqipëria për të plotësuar me të gjitha normat praktikat dhe mënyrën e veprimit të BE. Bashkimi Evropian përmes Komisionit Evropian që është krahu operacional i strukturave të BE verifikojnë që Shqipëria, administrata, agjencitë, pushteti qendor e lokal po bëjnë gjithçka duhet për ta shkurtuar rrugën ku Shqipëria të jetë në të gjitha nivelet, në standardet e BE”, u shpreh Hoxha.

Sipas tij, sot janë hapur 5 kapituj që prekin “shtyllën kurrizore të shtetit”.

/tvklan.al