Bandat më të rrezikshme të Shqipërisë ishte tema që u diskutoa këtë të enjte në emisionin “Opinion”. I ftuar ishte ndër të tjerë Asllan Dogjani, deputeti i PD-së që dikur ka qenë drejtor policie, për të folur pikërisht për vështirësitë e detyrës së tij gjatë kohës që e ka ushtruar. Dogjani u shpreh se një nga grupet më të rrezikshme kriminale ka qenë banda e Aldo Bares.

“Në Qarkun e Fierit mendoj që për kohën që ishte, një bandë ose grup kriminal shumë i rrezikshëm që kishte specifika të veçanta ishte banda e Aldo Bares. Një bandë që ishte jo vetëm shumë aktive, por ajo filloi të merrte veprimtari ndaj shtetit. Filloi të godiste oficerë policie, filloi të godiste punonjësit e policisë, tu bënte presion…

Kur shkoj në komisariatin e policisë, ata kishin frikë kur përmendja emrin e Aldo Bares. Ulnin kokën të gjithë policët. Kishte një frikë të jashtëzakonshme”, tha Dogjani.

Madje ai tregoi një rast personal se si ata ushtronin presion ndaj efektivëve të policisë.

“Ajo që mua më bëri përshtypje që në momentin e parë që shkova ishte direkt presioni që ata i bënin punonjësve, drejtuesve të policisë, sapo vinin. Në ditët e para që kisha shkuar më bie telefoni nga një këta që ishin pjesë e kësaj bande. Në fakt atë ditë ishte zënë Shefi i Komisariatit me Shefin e Krimeve në Lushnje dhe unë mora Sokol Bizhgën për t’i pajtuar. I jap një informacion, pse ziheni me njëri-tjetrin. Kapni njërin që ka lëvizur nga Berati dje me një makinë me këto targa. Në darkë më merr në telefon ai për të cilin dhashë informacionin dhe më thotë, bile e kanë thënë përgjimet italiane në gazetën shqiptare. Më thotë drejtori i policisë? I them po. Më tha e di që kemi vrarë njerëz? I thashë nuk e di që keni vrarë njerëz ju dhe më shkoi mendja menjëherë që Shefi i Komisariatit ose Shefi i Krimeve i ka dhënë informacione. Tha, kemi vrarë njerëz dhe me ne mos u merr. I thashë zotëri unë nuk jam as Shefi i Komisariatit as Shefi i Policisë, por do të shihemi. Kam shkuar direkt te ministri dhe kemi hequr atë natë Shefin e Komisariatit. Më vonë, në gazetë kam parë që kishte komunikuar Shefi i Krimeve me këta”, tha Dogjani.

Këto shembuj, Dogjani i tregoi për të treguar se asokohe grupet kriminale nuk vepronin pa ndihmën e policisë. Po në “Opinion”, tregoi rastin e kapjes së një vrasësi me pagesë për ekzekutime që kryheshin në këtë qark çdo ditë të martë. Këto atentate kryheshin për shifra 200-300 mijë lekë.

“Filluan të bënin vrasje çdo të martë. Ditën e martë në orën 6 mua më bëhej një vrasje, o në derën e shtëpisë, o në derën e lokalit. Vrisnin kundërshtarët e njëri-tjetrit. Të parin kemi kapur një nga këta që bënin vrasje çdo të marte. Ai na shpjegoi. Mënyra si vriste ai nuk dinte se kush ishte ai që do vritej, por i thoshin është i veshur me këtë, në këtë tavolinë. Vriste. Shkonte merrte pistoletën në x vend. Ishte me pagesë ky, pavarësisht se ishte brenda grupit. Paguhej. I thoshin merr pistoletën filan vend. Bënte vrasjen dhe pastaj merrte paratë me Western Union. Sa merrte? 200 mijë lekë, 300 mijë lekë. Këto i kemi dokumentuar dhe kemi bërë arrestimin e tij”, tha Dogjani./tvklan.al