Kryeministri Albin Kurti bëri me dije se policia ka kryer arrestime pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës. Ai nuk dha detaje se sa janë personat e vëna në pranga, por u shpreh se po vijojnë hetimet dhe ndërkohë forcat policore po kryejnë bastisje.
“Policia po vijon hetimet, ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”, u shpreh Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës bën fajtore Serbinë për ngjarjen dhe kërkoi nga Uashingtoni e Brukseli dënimin e Serbisë dhe të kërkojnë përgjegjësi prej tyre.
“Policia në Kosovë nuk është kundër serbëve, por Serbia është kundër Kosovës dhe ajo financon, mbështet, dirigjon grupe të tilla kriminale që i kanë në listë të rrogave dhe në organigramë të pushtetit. Prandaj dhe ne e bëjmë fajtor Serbinë për këtë dhe kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë sidomos nga Brukseli dhe Uashingtoni që ta dënojnë Beogradin dhe të kërkojnë përgjegjësi prej tyre. Nuk është e rastësishme heshtja e presidentit të Serbisë. Nuk është e rastësishme që ata po presin sa është dëmi, sa na kanë destabilizuar në mënyrë që të shohin çfarë episodesh të tjera të organizojnë. Ky ishte sulmi i tretë në 72 orët e fundit”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, është e pamundur që sulmi të jetë organizuar nga qytetarë të zakonshëm. Pas saj, për Kurtin fshihet një organizatë profesioniste në sulme terroriste.
“Këto sulme janë kryer nga profesionistë. Unë e pashë në vendin e ngjarjes, nuk ka mundësi që këtë ta bëjë një individ apo dy, nuk ka mundësi që këtë ta bëjnë qytetarët e zakonshëm. E ka bërë një organizatë që është profesioniste në sulme të këtilla terroriste dhe aftësinë, kapacitetin, interesin për një gjë të tillë e ka veçse Serbia. Të gjithë e dini që me datën 29 Qershor të vitit të kaluar, Mbrojtjen Civile dhe Brigadën Veriore i kemi shpallur organizata terroriste. Këto organizata sidomos Mbrojtja Civile janë me ligj në Serbi edhe në listë të rrogave atje sepse u ndahet buxhet atje. Prandaj edhe ne e mbajmë përgjegjës Serbinë për këtë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës u shpreh se synimi i sulmit ishte që të maksimizohet dëmtimi.
“Po synohet dëmtimi i infrastrukturës kritike ku dëmi është maksimal. Dëmi maksimal është synuar edhe me rastin e këtij sulmi terrorist sepse kanë mundur t’i vendosin mbi 15 kg eksploziv në ndonjë rrugë, ndonjë aks rrugor. Kanë mundur t’i vendosin në një urë. Pra kanalin Ibër-Lepenc që na e sjell ujin prej Ujmanit dhe që dihet që liqeni i Radoniqit, i Batllavës, liqeni i Batovcit, me ua mbledh sasinë e ujit bashkarisht nuk bëjnë më shumë se 1 e 3 e liqenit të Ujmanit, është e qartë se synimi ka qenë të maksimizohet dëmtimi”, theksoi ai. /tvklan.al