Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dënuar shpërthimin në kanalin e Ibër Lepencit. Ai u shpreh se sulmi është akt terrorist që zhvillohet pas shpalljes nga Presidentja Vjosa Osmani të datës së zgjedhjeve. Qëllimi sipas tij është destabilizimi i rajonit dhe dekurajimi i serbëve për të marrë pjesë në proceset demokratike në Kosovë.

“Dua të dënoj me forcën më të madhe aktet terroriste në Zubin Potok, Zveçan, ndaj infrastrukturës jetike të furnizmit me ujë të qytetarëve të Kosovës, por edhe të institucioneve të Kosovës në ato territore. Këto akte terroriste të cilat zhvillohen pas shpalljes nga presidentja e Kosovës të datës së zgjedhjeve dhe shprehjes së vullnetit të Listës Serbe për të marrë pjesë në këto zgjedhje kanë synim madhor destabilizimin e atij rajoni dhe dekurajimin e serbëve për të marrë pjesë në proceset demokratike në Kosovë, në vendin e tyre”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati deklaroi se Beogradi kërkon një zonë konfliktuale dhe ngjarja është një skenar tipik i Rusisë së vogël që shkon në interesin më të madh edhe të Kremlinit. Ish-kryeministri deklaroi se Rusia kërkon që krahas luftës në Ukrainë të ketë dhe një konflikt tjetër në Ballkan.

“Këto akte janë një aktakuzë e rëndë e Beogradit, i cili kërkon me çdo kusht një zonë konfliktuale të re, kërkon me çdo kusht destabilizimin e Kosovës. Një skenar i tillë është një skenar tipik i Rusisë së vogël që shkon në interesin më të madh edhe të Kremlinit”, tha Berisha.

Akuza hodhi edhe ndaj qeverisë së Edi Ramës.

“Prishtina është vendosur mes Beogradit të madh dhe Tiranës që luan rolin e një Beogradi të vogël në raport me Prishtinën”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se implikimi i Shqipërisë në dialogun Kosovë-Serbi nuk sjell dobi dhe është i dëmshëm. Sipas Berishës, Rama ishte i pari që vendosi sanksione ndaj Kosovës, ndërsa sot kërkoi të hiqeshin ato./tvklan.al