Dy grupimet kryesore pro-europiane Partia Popullore dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve pritet të ruajnë shumicën në Parlamentin Europian pas zgjedhjeve 4-ditore.
Megjithatë, analistët parashikojnë që presioni ndaj tyre të shtohet nga rritja e numrit të eurodeputetëve euroskeptikë, të së djathtës radikale kundër emigrantëve nga parti të vendeve të ndryshme të unionit, duke i bërë ata faktor vendimmarrës.
Rritja e mbështetjes ndaj tyre është pasojë e kostove në rritje të jetesës prej pandemisë dhe luftës në Ukrainë, krizës e emigrantëve e po ashtu edhe përhapja e lajmeve të rreme kryesisht nga Rusia që i mbështet shumicën e këtyre grupimeve.
Prestigjozja Politico shkruan se në Francë, nacionalistët e Marinë Le Penit pritet të mposhtin liberalët e Presidentit Emanuel Macron, një votë që konsiderohet si referendum për politikat e shefit të Elizesë.
Alternativa për Gjermaninë me qasje jo shumë kritike ndaj të shkuarës naziste pritet të renditet për herë të parë e dyta pas socialdemokratëve në pushtet. Në Itali pritet konsolidimi i partisë së Kryeministres Meloni, që ka rrënjë fashiste.
Në rast edhe të fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të Nëntorit në SHBA, fuqizimi i radikalëve të djathtë në Europë mund t’i japë atij një dorë për nxitjen e një marrëveshjeje të pafavorshme për Kievin, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, shkruan Politico.
Megjithatë, asnjë nga këto parti nuk rrezikon të zvogëlojë Bashkimin Europian, pasi asnjëra prej tyre nuk nxit daljen e vendeve përkatëse nga unioni.
Tv Klan