Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe për t’u mbrojtur nga çdo sulm i mundshëm nga Rusia. Takimi vjen pas pezullimit të ndihmës ushtarake nga Donald Trump për Kievin.
Liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian iu bashkua edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe dhe javën e kaluar, ju keni qëndruar me ne. Ne jemi shumë mirënjohës që nuk jemi vetëm. Këto nuk janë vetëm fjalë”, tha Volodymyr Zelensky.
Duke folur për mediat, von der Leyen tha se do të propozojë një plan që mund të mobilizojë deri në 800 miliardë Euro për mbrojtjen evropiane.
“Plani i Evropës së Riarmatimit” parashikon deri në 800 miliardë Euro për investime në mbrojtje. Ai u jep vendeve anëtare hapësirë për të investuar në mbrojtje. Ai u jep gjithashtu mundësinë të investojnë në industrinë e mbrojtjes ukrainase”, tha Ursula von der Leyen.
Sipas von der Leyen, Evropa përballet me një rrezik real, dhe kështu duhet të jetë në gjendje të mbrohet. Kjo vjen pas shqetësimeve të liderëve evropianë se Amerika mund të mos jetë më një partner i besueshëm i sigurisë, pasi Donald Trump ka zbutur qëndrimin ndaj Rusisë.
Ndërkaq administrata e Presidentit të SHBA, Donald Trump, po planifikon të revokojë statusin e përkohshëm ligjor për rreth 240,000 ukrainas që u larguan nga konflikti me Rusinë, tha një zyrtar i lartë i Trump.
Reuters raporton se lëvizja është pjesë e ndryshimeve të thella të programeve të migracionit të epokës Biden.
Klan News