Arrestimi i Safet Bajrit ishte ngjarja më e përfolur ditën e sotme, pas urdhrit të ardhur nga GJKKO. I akuzuar për një sërë veprash penale, mes të cilave dhe përfshirjen në ekzekutimin e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në vitin 2018, “i forti” i Shkodrës u shoqërua nga Forcat RENEA. Në një intervistë për Drini Zeqon në Klan News, gazetari Merin Maçi solli më shumë detaje.
“Operacioni është zhvilluar mëngjesin e sotëm në Shkodër ku në pranga është vënë Safet Bajri, i njohur ndryshe edhe si Safet Rustemi. Bëhet fjalë për një procedim me numër 112 të vitit 2019, pikërisht një vit pas regjistrimit të ngjarjes për të cilën është vënë në masë sigurie, jo vetëm Safet Bajri, por dhe kushuriri i tij Behar Bajri, si dhe Astmer Bilali, ndërkohë që akuzat të cilat ka ngritur Prokuroria e Posaçme pas konkludimit të hetimeve të kryera për atë ngjarje të rëndë ku është ekzekutuar Fatbardh Lici, në Gusht të vitit 2018 në Shkodër janë akuza e vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim, një ngjarje e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal si dhe kryerja e veprimeve penale në kuadrin e një organizate kriminale dhe e gjithë kjo ngjarje që ka vënë në dyshim 3 persona, konkretisht Behar Bajrin, Safet Bajrin dhe Astmer Bilalin lidhet me një ngjarje të regjistruar një muaj përpara se të ekzekutohej Fatbardh Lici. Pikërisht, bëhet fjalë për Boran Bërçanën, një ish efektiv policie i cili në 16 Korrik të 2018-tës u ekzekutua në brendësi të automjetit të tij së bashku me bashkëshorten. Një ngjarje tejet e rëndë ku në momentet e atentatit që mori dy jetë njerëzish, në automjet ishte dhe fëmija i tyre, vetëm 2 vjeç”, tha Marin Maçi.
Drini Zeqo: Si bashkohen bashkë këta tre personazhe?
Merin Maçi: Behar Bajri dhe Safet Bajri, krahas lidhjes farefisnore që kanë, kanë një miqësi tejet të njohur që nga ana e Prokurorisë së Posaçme është përfshirë dhe në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal për shumë ngjarje që dyshohet që kanë vepruar bashkë për të cilët më herët ka patur dhe masa sigurie ku Behar Bajri dhe Astmer Bilali, aktualisht ndodheshin në burg si të akuzuar në kuadër të hetimeve për dosjen “Metamorfoza” dhe bëhej fjalë për ngjarje ku këta dy personazhe lidheshin me njëri tjetrin se kanë vepruar për realizimin e shumë ngjarjeve kriminale, qoftë nga vrasjet apo dhe ngjarje të tjera. Ndërkohë që janë njohur për mënyrën se si veprojnë. Behar Bajri dhe Astmer Bilali, kanë qenë më parë në akuzë. Masa e sigurisë ditën e sotme u është komunikuar në ambientet e paraburgimit ku janë në një proces hetimor sa i takon dosjes “Metamorfoza”. Ndërkohë lidhja që është me Safet Bajrin ose Safet Rustemin, përveç lidhjes së gjakut që ka Behar Bajri me Safet Rustemin, është dhe një lidhje që këta tre personazhe kanë për shkak të veprimtarive kriminale për të cilat janë akuzuar më herët. Kujtoj këtu një operacion të zhvilluar në Shtator të vitit 2018, ku këta personazhe, Behar Bajri, Safet Bajri dhe Astmer Bilali në bashkëpunim me 8 persona të tjerë u vunë në pranga të një operacioni në atë kohë të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, operacion ky i koduar “Oaz”, ku dyshoheshin për ngjarje të rënda kriminale, por që më pas kalvari që kjo dosje kaloi në dyert e drejtësisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda përfundoi vetëm me një akuzë, atë të fiksimit të basteve sportive. Sa i takon personazhit, i cili është arrestuar ditën e sotme ka qenë i arrestuar edhe për një kërkim ndërkombëtar që ka patur në Belgjikë, ku Safet Bajri ka qenë i dënuar 9 vite heqje lirie për akuzën e prostitucionit dhe trafikut të drogës, por ky dënim u njoh në shtetin shqiptar dhe ai vuajti një dënim me 2/3-tat e tij deri në Mars të vitit 2023, ku fitoi sërish lirinë. Është një personazh, ashtu si dy të tjerët, që është i lidhur në shumë ngjarje kriminale”.
Por cili është profili kriminal i Safet Bajrit?
“Krimet e para kanë qenë pikërisht aktiviteti kriminal jashtë vendit, ku nga ana e autoriteteve belge, jo vetëm Safet Bajri, por dhe anëtarë të tjerë të familjes Bajri kanë patur një aktivitet kriminal, kjo e provuar nga autoritetet në Belgjikë për të cilën ka patur dhe urdhra të shumtë arresti lidhur me pjesëtarë të kësaj familje, pra fisit Bajri, por dhe lidhjeve të afërta shoqërore. Nga ana tjetër Safet Bajri ka pasur një akuzë si i përfshirë në një grup kriminal për hetimin që përmenda pak më parë në kuadër të operacionit “Oaz”, për disa vepra të rënda penale, por që në atë kohë pas muajsh të tërë hetime nuk u provua dhe Safet Bajri u dënua nga Gjykata e Shkodrës vetëm për fiksim të basteve sportive, të cilat lidheshin me rezultatet e disa ndeshjeve në kampionatin shqiptar. Nuk ishte i vetëm Safet Bajri, por ishin dhe personazhe të tjerë të këtij fisi, por dhe lidhjet e tyre shoqërore, mes të cilëve dhe Astmer Bilali për të cilin ka gjithashtu një masë sigurie të lëshuar ditën e sotme. Pas këtij problemi me drejtësinë, Safet Bajrit i vjen një letër porosi nga ana e autoriteteve belge ku ky person kishte probleme me drejtësinë. Duke qenë se mes autoriteteve shqiptare dhe Belgjikës ka një marrëveshje për njohjen e dënimeve, dënimi me 9 vite në Belgjikë iu konvertua për ta kryer në Shqipëri, ku Safet Bajri vuajti disa vite dhe pasi përfundoi 2/3-tën e këtij dënimi ai fitoi dhe lirinë me kusht në Mars të vitit 2023”, tha Maçi. /tvklan.al