Bernard Kushner, ish-ministri i Jashtëm i Francës mendon se integrimi i qëndrueshëm i rajonit të Ballkanit në BE është lajm i mirë, pasi ndihmon dhe për një Europë të federalizuar dhe në një bashkim të plotë. Në një shkrim për portalin europian
Euraktiv
ku trajton shpesh çështje të rajonit tonë, Kushner thotë se vendimi i Këshillit Europian për t’i hapur rrugën procesit analit paranegociator me Shqipërinë dhe Maqedoninë ishte një lajm i mirë për këto dy vende. Rezultati përfundimtar sipas Kushner duhet të vijë pa asnjë vonesë, për t’i hapur rrugën një perspektive reale për këto dy vende që të ecin drejt anëtarësimit së bashku, mbase në 2025.
“ Të negociosh hyrjen në BE nuk është si të negociosh çmimin e një tapeti. Negocimi me BE-në është një proçes ku Blloku vendos standarde dhe kandidatët për anëtarë mundohen t’i plotësojnë ato.
Në Shqipëri, Komisioni Europian caktoi 5 kushte për të bërë të mundur hapjen e negociatave zyrtare. Komisioni thotë tashmë se ato janë plotësuar të gjitha dhe se ka parë veçanërisht me shumë vëmendje përpjekjet e Tiranës për të pastruar sistemin e drejtësisë.
Kjo ka qenë një betejë e jashtëzakonshme kundër interesave të ngushta, të cilat, herë pas here, pothuajse kanë paralizuar procesin politik dhe dialogun qytetar. Modeli i Shqipërisë për reformën në drejtësi po rekomandohet tashmë për zbatim në gjithë rajonin dhe ndërmjet disa prej anëtarëve aktualë të BE-së”.
Në shumë drejtime, qeveria e Kryeministrit Edi Rama i ka kaluar pritshmërirë dhe madje ka arritur disa standarde që do ta udhëheqin gjatë negociatave formale
Kushner i njeh meritën kryeministrit Rama dhe për ndikimin ne zhvillimet ne rajon.
“ I shtyrë nga kjo mbështetje në vend, Rama ka qenë në gjendje të ndikojë zhvillimet në rajon. Është e drejtë të thuhet se pa inkurajimin e tij, revolucioni që solli zgjedhjen e një qeverie reformiste në Maqedoni nuk do te kishte ndodhur, ndërsa marrëveshja për emrin me Greqinë do të kishte qenë e pamundur (pa ndikimin e Edi Ramës në partite dhe komunitetin shqiptar).Në mënyrë të ngjashme, roli në prapaskenë i Ramës në nisjen dhe përparimin e bisedimeve midis Serbisë dhe ish-provincës së saj, Kosovës ka qënë tejet jetik”.
Shkrimin e tij ish kryediplomati francez e mbyll me një pyetje. Nëse BE-ja mundet që të vërë rregull brenda shtëpisë së vet deri vitin e ardhshëm dhe të ketë aq besim në të ardhmen, sa të fillojë të mendojë sërish për zgjerimin e mëtejshëm?
Tv Klan