Integrimi i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Europian do të varet nga dialogu mes dy vendeve”, tha Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner në Prishtinë.
Gjatë një seance solemne në Kuvendin e Kosovës, Kushner deklaroi se procesi i pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve do të jetë i gjatë dhe jo i lehtë, por bashkëpunimi rajonal sipas tij përshpejton integrimin e të gjitha vendeve të rajonit në bllokun 27 anëtarësh.
Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Kushner i cili theksoi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, pati takime të ndara me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi, kryetarin e kuvendit Jakup Krasniqi dhe Ministrin e Jashtëm Skënder Hyseni.
Po ashtu ai u takua edhe me përfaqësues të pranisë civile ndërkombëtare si dhe me komunitetin serb. Gjatë paradites kryediplomati francez u ndal edhe në Beograd ku u takua me presidentin Boris Tadiç dhe homologun Vuk Jeremiç, të cilëve u përsëriti mesazhin, se Serbia ashtu si çdo vend kandidat duhet të zgjidhë problemet me fqinjët përfshirë këtu Kosovën.
Bernard Kushner gëzon një simpati të veçantë në Kosovë, ku ka shërbyer si shefi i parë i misionit të kombeve të bashkuara pas përfundimit të luftës./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle