Daçiç: Do të vazhdojmë fushatën kundër Pavarësisë
Gana ka tërhequr njohjen Pavarësisë së Kosovës. Kështu ka bërë të ditur shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, që herët në një emision të mëngjesit.
Më pas, gjatë ceremonisë së paqes së Luftës së Parë Botërore, ai ka konfirmuar një gjë të tillë duke theksuar se shteti ganez kishte bërë gabim duke e njohur Pavarësinë e Kosovës pasi ka marrë një notë diplomatike që e saktëson këtë.
“Ka qenë një veprim i gabuar dhe i nxituar që ka shkelur rezolutën 1244. Ky është rezultat i një politike shtetërore që e bëjmë prej vitesh, por Gana është vendi më i madh që ka tërhequr njohjen e Kosovës”.
Në vitin 2012 kur Gana kishte njohur Pavarësinë e Kosovës, i vetmi ambasador që realisht ishte dëbuar kishte qenë ai ganez. Tani Serbia thotë se do të vazhdojë me një aktivitet të tillë që Kosovës t’i hiqen edhe disa njohje dhe fakti që Gana është shtet i madh e ndihmon këtë.
“Ne do të vazhdojmë me këtë aktivitet. Jemi të angazhuar nga Presidenti, qeveria, Ministria e Jashtme, kryetarja e Parlamentit. Ne kemi në plan që dhe disa shtete deri në fund të vitit të tërhiqen nga disa njohje. Kjo nuk është e lehtë pasi për këtë është dashur rreth një vit e gjysmë, kam qenë në Ganë, ministrja këtu dhe Presidenti është takuar në Nju Jork”.
Tërheqja e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës u bë një lobim i vazhdueshëm nga Serbia, nga e cila është kërkuar të ndalojë, por zyrtarët serbë kanë për qëllim që Pavarësinë e Kosovës ta kontestojnë duke ulur numrin e shteteve nën gjysmën e numrit të anëtarëve të OKB-së.
Tv Klan