Avokati i Popullit: Duhet mbyllur urgjentisht

Rruga që të çon në burgun e Zaharisë në Krujë rreth 20 kilometër larg Tiranës, është e shkatërruar.

Në fund të saj, përtej këtyre mureve me tela me gjëmba, degradimi ka ecur me hapa më të shpejtë.

“Ky burg” – thotë zyra e Avokatit të Popullit – “duhet mbyllur një orë e më parë”.

Avokati i Popullit i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Burgjeve 4 rekomandime për mbylljen e burgut të Zaharisë. Sipas avokatit, ky burg nuk përmbush asnjë standard.

 “Avokati i Popullit do të dërgojë përsëri rekomandimin që burgu i Zaharisë duhet të mbyllet menjëherë, pasi kushtet janë jo të mira, madje mund të thuhet janë degraduese”, thotë Ermonela Xhafa nga zyra e Avokatit të Popullit.

Brenda këtij institucioni të vuajtjes së dënimit, sipas Avokatit të Popullit, kushtet janë mizerabël.

“Burgu nuk ka sistem ngrohës, janë ambiente të dëmtuara dhe me myk, mungojnë materialet dhe ato shëndetësore, mungon sistemi i ajrosjes, kuzhina ka mungesë të orendive. Ne kemi kryer inspektime në Qershor dhe Nëntor, dhe realisht kushtet lënë shumë për të dëshiruar. Janë trajtim degradues, pra këta njerëz nuk marrin shërbimet e tyre”, shprehet Ermonela Xhafa.

Mbipopullimi është një tjetër problem i vënë në dukje edhe nga  Organizata Botërore e Shëndetësisë në një raport mbi situatën e burgjeve në mbarë Europën.

“Atje ka mbipopullim, janë 284 të burgosur dhe paraburgim 141 marrin mjekim të detyruar. 80 janë të transferuar nga spitali i burgjeve”, vijon Xhafa.

Këtu mbahen nëpër qeli edhe disa persona me probleme mendore, që kanë kryer krime. Por për Avokatin e Popullit kjo është shkelje ligjore.  

 “Është nevoja për një spital forensik. Edhe Kosova ka një spital forensik, ne kemi legjislacionin por nuk kemi spitalin”.

Televizioni Klan i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë një koment në lidhje me situatën në këtë burg dhe për të mësuar nëse po shqyrtohen rekomandimet e Avokatit të Popullit për mbylljen e tij. Por Ministria e Drejtësisë e refuzoi si kërkesën për koment, po ashtu edhe atë për të filmuar brenda ambienteve të këtij burgu.

Edhe në burgun e Reçit të dënuarit kanë protestuar për kushtet dhe i kanë denoncuar ato në disa dëshmi për Tv Klan, por Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve nuk pranuan të bëjnë komente as për këtë rast.

Tv Klan