Gjykata Kushtetuese i ka lënë 6 muaj kohë në dispozicion Kuvendit për të bërë ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore parlamentare.
Kushtetuesja ka vendosur një zëri konstatimin e papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 4 të ligjit, për shkak të boshllëkut ligjor në përmbajte të kësaj dispozite.
Sipas trupës gjykuese boshllëku ka të bëjë me nevojën për “formulime alternative të objektit të hetimit”. Sipas gjykatës formulimi në këtë mënyrë i nenit 4 passjell cenimin deri në pamundësinë për ushtrimin e të drejtës së pakicës parlamentare.
Kushtetuesja ka cilësuar të papajtueshëm me Kushtetutën edhe nenin 7, që ka të bëjë me vendimin e ndërmjetëm për marrjen e provave. Trupa po ashtu ka vendosur që vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve.
Një vendim refuzimi mund të çojë edhe në lindjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese. Çka do të thotë se pakica ka të drejtë ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese për interpretim.
Me shumicë votash, është vendosur shfuqizimi i nenit 9 që ka shtuar pikat 1/2 dhe 2/4. Këto dy pika lidhen, me marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, si dhe me të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë. Kushtetuesja vlerësoi se formulimi nuk është i qartë në drejtim të parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.
Qëllimi i ruajtjes së sekretit hetimor mund të përmbushet nga pyetja e dëshmitarëve me dyer të mbyllura.
Me shumicë votash, gjykata bëri interpretim pajtues të nenit 6, pika 3, shkronjat “c” dhe “d”, të ligjit nr. 106/2023, në lidhje me marrjen e provave pa pjesëmarrjen e publikut, pasi konstatoi se kjo dispozitë jep disa rezultate në varësi të metodave të interpretimit, ndaj gjykata përzgjodhi atë rezultat që është i pajtueshëm me normat kushtetuese.
Gjykata arriti në përfundimin se si rregull, veprimtaria e komisionit hetimor duhet të jetë publike dhe vetëm përjashtimisht ajo mund të zhvillohet me dyer të mbyllura, kur të drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën për informim.
Për sa u përket dispozitave të tjera të ligjit nr. 106/2023 të kundërshtuara nga kërkuesi, gjykata vlerësoi rrëzimin e tyre si të pabazuara.
Klan News