Kushtetuesja: Votimi i parregullt, zgjedhje brenda 40 ditëve
Jokushtetuese është shpallur qeveria Hoti nga Gjykata Kushtetuese. Kosova duhet të shkojë jo më larg se 40 ditë në zgjedhje të parakohshme thuhet në vendimin e kësaj gjykate i cili u publikua në orët e vona të mbrëmjes të së hënës.
Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e qeverisë i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetuës, sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në vendim thuhet se asnjë person që është i dënuar për ndonjë vepër penale në formë të prerë në tre vjetët e fundit nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandatin e vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.
Qeveria Hoti kishte marrë 61 vota më 3 Qershor kur u votua përfshirë edhe votën e deputetit të pakicave Ethem Arifi, i cili më 20 Gusht të vitit të kaluar kishte një dënim të formës së prerë nga Gjykata.
Ethem Arifi ishte dënuar nga Gjykata në Gusht të vitit të kaluar 2 ditë para se të shpërbëhej parlamenti. Atij nuk i ishte marrë mandati brenda këtyre dy ditëve, për më tepër ai kishte garuar sërish për të marrë një ulëse në Kuvend dhe pasi kishte marrë votat e mjaftueshme ishte certifikuar nga KQZ-ja.
Me dënim të formës së prerë ai sërish ishte betuar si deputet i Kuvendit pas zgjedhjeve të 6 Tetorit. Se ai kishte një vendim nga Gjykata ishte zbuluar tek në Prill të këtij viti pasi kishte rënë qeveria Kurti dhe LDK përpiqej të formonte qeverinë. Ndonëse Kuvendi nuk e kishte larguar për ta zëvendësuar me ndonjë deputet tjetër të pakicave, ai ka votuar edhe për qeverinë Hoti.
Tv Klan
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës – Kliko Këtu