Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i dha mbrëmë mbështetjen Qeverisë së propozuar nga Dimitar Kovaçevski. Gjysmë ore para mesnate, 62 deputetë votuan pro kabinetit të ri, 46 kundër, ndërsa nuk pati abstenime.

Qeveria e re ka 21 anëtarë, 17 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Njëmbëdhjetë anëtarë të qeverisë janë maqedonas, ndërsa dhjetë shqiptarë.

Votimi i qeverisë së re vjen pasi Zoran Zaev dha në Tetor të vitit të kaluar dorëheqjen, pas humbjes në zgjedhjet lokale.

Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij të fundit para se të merrte mbështetjen e deputetëve tha se “Qeveria ka legjitimitet të pakontestueshëm sidomos me zgjerimin e deputetëve shumica është e sigurt. Zgjedhje do të ketë, por në vitin 2024”.

Ai theksoi se prej sot fillon punën dhe takimin e parë do ta ketë me ambasadoren gjermane, ndërsa të martën do të takohet me kryeministrin bullgar Petkov, nga i cili do të kërkojë mbështetje për popullin e Maqedonisë dhe zgjidhje”. Kovaçevski kërkoi të lënë ndarjet partiake dhe etnike dhe të bashkohen në interes së qytetarëve”.

Klan News