Një hetim i Prokurorisë së Posaçme në bashkëpunim me autoritetet spanjolle ka çuar në zbulimin e një laboratori kokaine në Qerekë të Fushë Krujës. Një banesë private ishte përshtatur në ambient për përpunimin e drogës, që shfaqet në këto pamje.

Nga operacioni janë arrestuar 10 persona, 3 prej të cilëve shtetas të huaj. Përveç laboratorit të kokainës janë zbuluar gjithashtu edhe baza të tjera që shërbenin për të mbajtur lëndën narkotike dhe përzierësit nga ana e grupit kriminal si në Durrës dhe Tiranë.

Një bazë ndihmesë në Tiranë u zbulua në një prej banesave në zonën e njohur si Kodra e Diellit.

Grupi kriminal, nisur nga vendosja e bazave ka pasur si qëllim importimin e kokainës nga vendet e Amerikës Latine nëpërmjet lëkurës së gjedhëve në vendin tonë dhe nëpërmjet dy venezuelianëve dhe një kolumbiani kryenin proceset kimike në laboratorin e ngritur për të përftuar nga lëkura e gjedheve kokainën e cilësisë së lartë. Më pas lënda narkotike përzihej po në këtë laborator dhe më pas nëpërmjet portit të Durrësit i drejtohej për shitje tregjeve europiane.

Të arrestuarit nga Shqipëria, luanin rolin financuesve dhe siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë.

SPAK thotë se grupi ishte kujdesur për zgjedhjen e pikave strategjike për këtë aktivitet kriminale në afërsi të portit në Durrës dhe aeroportit të Rinasit, zona këto që vështirësonin monitorimin nga ajri prej autoriteteve, por gjithashtu lehtësonin dhe transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimik.

Goditja e këtij grupi kriminal, për kreun e SPAK është një moment kyç në luftën kundër krimit.

“Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete.”

Ndërsa prokurori i çështjes Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti.

“Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar.”

Në mesin e provave të sekuestruara nga autoritetet ligjzbatuese janë 6.1 kilogramë kokainë. Ashtu sikurse 48 tonë material i papërpunuar organik (850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet kokainë. Lënda narkotike është importuar në shtator dhe nëntor të këtij viti nga Amerika Latine.

Klan News