Ekstradohet nga Greqia, Laert Haxhiu i konsideruar si një nga personazhet më të rrezikshëm të botës së krimit. Vendimi për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, erdhi 14 muaj pas arrestimit të tij në Greqi, në maj të 2023.
Ndonëse me shtetin fqinj vendi ynë nuk ka një marrëveshje ekstradimi, këmbëngulja autoriteteve shqiptare, mes të cilave Interpol Tirana, ka bindur palën greke për të dhënë dritën jeshile për ekstradimin e 32-vjeçarit.
Ndaj këtij të fundit në Shqipëri është dhënë në mungesë një dënim me burg përjetë. Vendimi maksimal u dha për të në Prill të këtij viti nga Gjykata e Posaçme e cila e shpalli atë fajtor të “masakrës së Lushnjës” në vitin 2017 ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si dhe u plagos edhe një tjetër.
Po për këtë ngjarje me herët me burgim të përjetshëm janë dënuar edhe Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.
Krahas këtij dënimi, Laert Haxhiu është vënë sërish nën akuzë nga SPAK, kësaj here për disa ngjarje kriminale të zbërthyera nga i penduari i drejtësisë, Artan Tafani.
Në deklarimet e tij Tafani nxorri emrin e Laert Haxhiut si urdhërues, organizator e pjesmarrës në disa ngjarje të rënda kriminale, mes të cilave 6 vrasje, 2 prej tyre të regjistruara në Athinë, Greqi.
Vetë 32-vjeçari Haxhiu ka kundërshtuar disa herë ekstradimin drejt Shqipërisë, por tentativat e tij morën fund pasi pala greke u bind për vënien e tij përpara drejtësisë shqiptare.
Tv Klan