Që mediat e huaja kryesisht ato evropiane po i bëjnë jehonë turizmit në Shqipëri tashmë kjo nuk është diçka e re. Megjithatë, duket se vendi ynë po tërheq edhe vëmendjen e mediave argjentinase dhe e fundit që shkruan për Shqipërinë është revista “Lagunas”.

“Edhe pse mund të mos duket e besueshme, Deti i Karaibeve nuk është i vetmi destinacion ku mund të shijoni plazhet me ujëra kristal të pastër si ato të Republikës Domenikane, Kubës apo Meksikës pasi ekziston një vend me karakteristika të ngjashme në anën tjetër të Atlantikut”, thuhet në artikull.

I vendosur në Gadishullin Ballkanik, vendi ynë ofron plazhe të bukura, peisazhe malore, kështjella dhe qytete plot histori, një ndërthurje e bukurisë natyrore dhe pasurisë kulturore që vështirë se turistët do të  mund t’i rezistojnë dot.

Kjo media jep rekomandimet e saj për qytetet që duhen vizituar dhe e ka nisur me Tiranën.

Në kryeqytet rekomandohet që udhëtarët të bëjnë një shëtitje në Sheshin Skënderbej, të cilën e konsideron zemrën e qytetit, Muzeun Historik Kombëtar dhe Bllokun, i famshëm për jetën e natës.

Sa i përket vendeve historike sugjeron “qytetin e një mbi një dritareve”, Beratin, i cili spikat si një tjetër pikë urbane për t’u eksploruar i njohur nga UNESCO falë arkitekturës së tij unike. Një tjetër destinacion që duhet vizituar thotë revista “Lagunas” është edhe Parkun Kombëtar të Butrintit.

Sigurisht në shkrim nuk mund të mungonin edhe vlerësiimet për rivierën tonë.

Spikat plazhi i Ksamilit, i njohur për ishujt e tij të vegjël të aksesueshëm me not ose varkë, ujërat e kristalta  dhe rërën e bardhë, perfekte për një arratisje të paharrueshme.

Vlerëson plazhet e Dhërmiut që shquhet edhe si një nga epiqendrat e Rivierës Shqiptare, ideale jo vetëm për qetësi, por edhe për aktivitete ujore. Himara është një tjetër destinacion në të cilin ndërthuren jo vetëm plazhe të pabesueshme, por ka edhe plot monumente historike.

Pasi jep arsyet se pse udhëtarët argjentinas duhet të vizitojnë vendin tonë, kjo revistë thotë se nuk është e nevojshme që ata të kenë një vizë të veçantë, por qëndrimi nuk duhet të zgjasë më shumë se 90 ditë.

Klan News