Lajme, #edicioniinformativ ora 23:00 data 24 Nëntor 2024 #TvKlan #klanlajme

Spiker: Reis Çiço

Headline 24 nëntor 2024

Kryeministri Rama zhvillon në Londër takimin me shqiptarët duke u kërkuar atyre votën në 2025-ës. Ai paralajmëroi nismë ligjore për regjistrimin e fëmijëve të tyre, ndërsa shigjetoi opozitën se nxit akte antishqiptare vetëm për ardhjen në pushtet

Një oficer i policisë gjyqësore dhe vëllai i tij janë arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi, ngjarje e ndodhur 10 ditë më parë në Tiranë. Hetimet zbuluan se shkak për krimin është bërë një konflikt për ndërtimin e një pallati.

Policia deklaron se përveç 14-vjecarit të arrestuar për vrasjen tek shkolla “Fan Noli” nuk rezulton të ketë persona të tjerë të përfshirë. Te hënën, drejtoria e Burgjeve do të vendosë vendin ku do të dërgohet i mituri i dyshuar si autor i ngjarjes.

Ndërprerja e dërgimit të emigrantëve në kampet e Shëngjinit dhe Gjadrit ka bërë që të reduktohet numri i punonjësve të administratës italiane. Aty kanë mbetur vetëm 7 persona deri në sqarimin e çështjes nga Gjykata Europiane e Drejtësisë.

E përditshmja amerikane “Uoll Strit Xhërnëll” u rekomandon lexuesve të saj Shqipërinë si destinacion që duhet vizituar. Ajo veçon natyrën, historinë, ushqimin, mikpritjen, por edhe çmimet e favorshme.

Mbyllet me një marrëveshje që jo të gjithë i la të kënaqur, samiti për klimën në Baku të Azerbajxhanit. Vendet në zhvillim të ndihmohen me 300 miliardë dollarë në vit deri në 2035-ën për të hequr dorë nga përdorimi i karburanteve fosile.

/tvklan.al