Spiker: Redi Prifti
Headlines 27 Nëntor 2023
Gjermania kundër Greqisë për “Belerin”: Çështjet bilaterale nuk duhet të pengojnë integrimin
Gjermania e konsideron të papranueshëm bllokimin që Greqia po i bën integrimit të Shqipërisë. Berlini thotë se Shqipëria është vendi që ka bërë më shumë hapa drejt BE-së dhe ky proces nuk mund të ndërpritet për shkak të çështjeve dypalëshe
Aeroporti i Vlorës, ritme të shpejta në ndërtim. Fluturimet nisin në vitin 2025
Aeroporti i Vlorës do të jetë gati në dhjetor të vitit të ardhshëm ndërsa fluturimet e para janë parashikuar për në pranverën e 2025-ës. Drejtuesit e projektit thonë se punimet po ecin me ritme të shpjeta. Kantierin e vizitoi sot kryeministri Rama.
Termometri zbret në – 13 gradë në Dibër, sinoptikanët: Acari siberian po largohet
Termometri shënon minus 13 gradë celsius në qarkun e Dibrës. Stuhia polare që ka përfshirë vendin ka bërë që pas reshjeve të dëborës vendi të pushtohet nga ngricat. Sinoptikanët thonë se acari siberian po largohet, por të martën rikthehen rrebeshet.
25 mijë banesa me qira ditore në platformat online, regjistrohen vetëm 40%
Nismës për deklarimin e pronave që jepen me qira ditore në platformat online i janë përgjigjur deri më tani vetëm 40% e tyre. Në këto platforma numërohen mbi 25 mijë banesa, por ekspertët thonë se ato po përpiqen të shmangin tatimin.
Tirana vishet kuqezi në prag të 28 Nëntorit. Zbardhen detajet nga “Parada e Shqiptarëve”
Tirana do të festojë ndryshe këtë vit 28 nëntorin, festën e Pavarësisë pasi në kryeqytet do të zhvillohet për herë të parë, parada e shqiptarëve. Festës pritet t’i bashkohen mbi 5 mijë shqiptarë të ardhur nga diaspora dhe trevat shqiptare.
Shtzhet me dy ditë afati i armëpushimit në Gaza. Mosmarrëveshje për listën e emrave që duhen liruar
Izraeli dhe Hamasi bjenë dakord për të shtyrë me dy ditë të tjera afatin e armëpushimit. Në ditën e sotme ishte parashikuar shkëmbimi i të tjerë pengjeve dhe të burgosurve, por kjo ende s’ka ndodhur pasi ka mosmarrëveshje për emrat.
Publikohen pamjet e sherrit në ndeshjen Tiranë-Vllaznia. FSHF pritet të marrë masa
Publikohen pamjet e sherrit masiv në ndeshjen e vajzave të Tiranës dhe atyre të Vllaznisë të luajtur të shtunën në kryeqytet. Klubet akuzojnë njëri – tjetrin ndërsa Federata e Futbollit pritet të marrë masa./tvklan.al