Fluturat Monarch” mbërrijnë në destinacion. Këto krijesa të mrekullueshme, janë të njohura mbi të gjitha për migrimin e tyre, ku çdo vit fluturojnë mbi 5000 km nga SHBA deri në pyjet e ngrohta të Meksikës. Migrimi i kolonive nis në vjeshtë nga Amerika e Veriut për t’u përmbyllur në Nëntor, me mbërritjen e tyre në Meksikë, vend ku fluturat “Monarch” konsiderohen ‘shpirtra që fluturojnë’.
Emri shkencor i tyre është Danaus Plexippus, karakterizohet nga ngjyra me tone të zeza, kafe e portokalli, ka një hapje krahësh deri në 10 cm, bën pjesë në familjen e Niinfalideve. Për shkak të pamjes së saj kjo specie, është simbol i idealeve të bukurisë, elegancës dhe konsiderohet mbretërore sikurse e thotë edhe emri, ndërsa në Meksikë është edhe simbol spiritualiteti, pasi shtegtimi i tyre konsiderohet si rikthimi i shpirtrave të atyre që nuk jetojnë më.
Çdo vit, për t’i shpëtuar stinëve të ftohta në SHBA e Kanada, kjo specie shtegton e fluturon për mbi 5000 km për të arritur në klimën e ngrohtë meksikane. Spektakli është i pabesueshëm, pasi miliona ekzemplarë ndalen në destinacion duke pushtuar çdo sipërfaqe, sa mimetizohen edhe me gjethet e pemëve. Asnjë insekt tjetër në botë nuk është në gjendje të shtegtojë e të kryejë një fluturim kaq të gjatë, dhe kjo është një nga arsyet që kjo specie është studiuar shumë për të kuptuar se si arrin ta bëjë këtë gjë.
Spostimi me mijëra kilometra kërkon shumë energji dhe shumë kohë. Fluturat “Monarch” kanë një cikël jete që zgjat nga 2-6 javë, vetëm disa ekzemplarë mund të arrijnë deri në 8 muaj. Ky fluturim mund të zgjasë mbi një muaj, çka do të thotë se gjatë udhëtimit ndryshojnë disa gjenerata për të arritur në destinacion, ku vetëm ¼ duket se e përfundon.
Këto flutura të mbushura me magji, kanë një tjetër veçanti. Ato ushqehen me bimë helmuese, tipike të Amerikës së Veriut dhe Afrikës. Këto bimë, janë shumë toksike për njeriun dhe kompromentojnë funskionin e zemrës, duke shkaktuar në rastet me të rënda edhe arrest kardiak. Fluturat “Monarch” kanë një mutacion të zhvilluar dhe janë imune nga efekti i ktyre toksinave. Ky sistem madje, në natyrë është kopjuar gjatë evolucionit, nga disa predatorë që ushqehen me këto flutura pa u helmuar nga toksinat.
Miliona flutura dhe kolonitë e tyre e kryejne këtë udhëtim 2 herë në vit, dhe biologët kanë studiuar për vite të tëra sistemin e tyre të navigimit dhe orientimit. Sipas tyre, ky sistem, bazohet në dy mekanizma të sofistikuar natyrorë, së pari neuronet tek sytë që ndjekin pozicionin e Diellit në horizonte dhe antenat që funksionojnë si një orë e brendshme, e bazuar në ritmet e disa geneve që rregullojnë kohën e ditës. Dy mekanizmat, njëri energjik dhe tjetri bllokues, kontrollojnë sinjalet në mënyrë të ekuilibruar, fenomen që i bën këto gjallesa të ndjekin drejtimin e duhur e ta korrigjojnë atë kur është e nevojshme. E njëjta busull biologjike në pranverë, funksionon në mënyrë të kundërt, që i bën të rikthehen e më pas të rigjejnë gjithnjë rrugën e të mos gabojnë kurrë, gjeneratë pas gjenerate.
Sipas studimeve, popullsia e tyre ka pësuar reduktim, por një mekanizëm i jashtëzakonshëm biologjik i tyre e mban në koherencë te vazhdueshme numrin e tyre. Është vërejtur se sa më shumë ekzemplarë të vdesin, aq më i lartë është riprodhimi në stinën e pranverës, gjë që e mban në balancë popullsinë e tyre.
Ndër shkaqet që kanë ndikuar negativisht renditen ndryshimet klimatike dhe përdorimi i tepërt i pesticideve, që ndikojnë drejtpërdrejt tek ushqimi dhe cikli i jetës. Megjithatë, statistikat flasin për numër në ekuilibër të fluturave “Monarch” në 25 vitet e fundit në habitatin e tyre.
Klan News