Shumë analistë shprehen se kjo tregon për një monarki tashmë të dobësuar
Njoftimi tronditës nga Princesha e Uellsit, Kate Middleton teksa bëri të ditur se është diagnostikuar me kancer dominoi faqet e para të gazetave të vendit me mesazhe mbështetjeje të kombinuara me kritikat ndaj atyre që kishin spekuluar për shëndetin e saj.
“KATE, TI NUK JE VETËM“, shkroi tabloidi “The Sun”, duke thënë se ajo mori një mbështetje të madhe nga e gjithë bota, ndërsa “Daily Mirror” shkoi me “KATE, SHOCK CANCER“.
Daily Mail kritikoi ata që kanë spekuluar javët e fundit për shëndetin e saj, duke thënë: “Si ndihen tani të gjithë ata që për javë të tëra thumbuan me postime në internet shëndetin e saj?”
Analistët shprehen se diagnoza e kancerit është më shumë se një lajm tronditës për monarkinë ndërsa për të tjerë shqetësimet shëndetësore të mbretit dhe Kate po tregojnë një monarki tashmë të dobësuar.
“Unë do të shpresoja se do t’i jepte fund spekulimeve. Në Britani, ne kemi ligje shumë të rrepta për privatësinë për çështjet shëndetësore, dhe kështu siç e kemi parë në epokat e mëparshme, që Mbretëresha dhe Princi Philip nuk dhanë një koment të vazhdueshëm për shëndetin e tyre. Është me të vërtetë Perëndimi i Egër. Ata spekulojnë dhe flasin absolutisht marrëzi.”
Ekspertët mjekësorë thanë se ndërsa Kate mund të ketë një rrugë të gjatë përpara në varësi të rastit të saj të veçantë dhe llojit të kancerit. Kate tha se ajo po i nënshtrohej kimioterapisë pasi testet e bëra pas një operacioni të madh abdominal në janar zbuluan se kanceri ishte i pranishëm. Ajo e quajti zbulimin e kancerit një “tronditje të madhe”.
Reagime pati gjithashtu edhe nga mbarë bota teksa shprehën keqardhjen dhe uruan shërim sa më të shpejtë Kate Middleton. Presidenti i SHBA Joe Biden ishte ndër liderët që i dërguan urimet e tyre Kate , duke shkruar në platformën e mediave sociale X se ai bashkohet me “miliona në mbarë botën që luten” për shërimin e saj. Ndërkaq edhe Duka dhe Dukesha e Sussex , Harry dhe Meghan dhanë një mesazh publik mbështetjeje të Kate pas lajmeve se ajo po i nënshtrohet trajtimit të kancerit.
“Ne dëshirojmë shëndet dhe shërim për Kate dhe familjen dhe shpresojmë që ata të jenë në gjendje ta bëjnë këtë privatisht dhe në paqe”, tha çifti.
Edhe për njerëzit ky është një lajm tronditës.
“Është jashtëzakonisht e trishtueshme. Sa herë që dikush sëmuret me kancer, është një gjë e tmerrshme të dëgjosh. Dhe unë mund ta imagjinoj vetëm se çfarë po kalon familja e saj tani. Shpresoj që të jetë në gjendje të shërohet.”
“Është një lajm tronditës sigurisht, ajo është shumë e re. Të dëgjosh një lajm të tillë se je diagnostikuar me kancer, kjo duhet të jetë një tronditje e vërtetë për familjen, veçanërisht pas mbretit Charles i cili gjithashtu është i sëmurë.”
Disa javë më parë një foto e edituar shkaktoi skandal në Oborrin Mbretëror ku princesha u detyrua të kërkonte falje. Si rrjedhojë shumë agjenci të ndryshme lajmesh hoqën foton nga sistemet e tyre.
Klan News