Elsa Muça është një sipërmarrëse shqiptare në SHBA që ia ka dalë të realizojë ëndrrat e saj përtej oqeanit. Në vitin 1996, përmes lotarisë amerikane ajo la Tepelenën duke nisur një jetë të re bashkë me familjen. Në programin “Rudina” në Tv Klan, Elsa tregon rrugëtimin e saj në mjekësi përmes së cilës arriti t’i krijonte mundësi vetes për të blerë një kompani farmaceutike në Florida.

Sfidat e saj në karrierë s’kanë  qenë të lehta, por paralelisht edhe jeta personale e ka vendosur përpara vështirësive. Pas divorcit me ish-bashkëshortin me të cilin ka dy djem, u përball dy herë me kancerin. Në vitin 2007 kur ishte 27 vjeçe, u diagnostikua me kancer gjiri. 13 vite më vonë, kanceri u përsërit në tiroide. Sipërmarrësja kujton momentet sfiduese shëndetësore ku nuk e humbi asnjëherë optimizmin.

Elsa Muça: 2007-ta…  as nuk i mbaj mend ndjenjat e para por thashë, nuk e di, kjo do të më tërheqë mbrapsht apo do të më japë një fuqi që të eci përpara. Gjithashtu u bënë disa plane familjare që nëse unë nuk do të mbijetoja, duhet të lija një testament financiar për fëmijët e mi.

Rudina Magjistari: Ti i bëre të gjitha këto?

Elsa Muça: Të gjitha këto me avokat të posaçëm. Disa profesorë në Universitetin e Pensilvanisë, gjë që më bëri mua të shkoja prapë te Universiteti i Pensilvanisë të merrja degën time të financës, sepse ata mua më dhanë kurajën e parë. Isha vetëm 27 vjeçe. Ata më thanë që “ti je shumë e re, shkenca nuk e pranon këtë por besoj se me disa kërkime do ia dalim mbanë”. Vetëm fjala e tyre mua  më ka mbajtur që të vazhdoja luftën, të vazhdoja betejën.  As nuk e kisha idenë çfarë injeksionesh merrja, kimioterapi ose rrezatim. Doja vetëm që dita tjetër të ekzistonte për mua. Në 2020-ën kur ka  ardhur diagnostikimi, isha e përgatitur të them të drejtën, as nuk u mërzita fare. Isha e përgatitur moralisht. Moralisht ishte një sfidë, diçka që Zoti bën mrekullira por isha në një pozitë që  sinanciarisht kisha mundësi më të mëdha, të shkoja të trajtohesha kudo në botë, gjithashtu unë  prodhoja vetë medikamente të ndryshme.

Rudina Magjistari: Pra të themi që të gjeti në një moment tjetër këtë herë.

Elsa Muça: Një moment tjetër, më të përgatitur.

Rudina Magjistari: Këtë herë ishe shumë e fuqizuar dhe kishe mundësi ta përballoje më lehtë.

Elsa Muça: Në 2020-ën kam ndenjur pushim vetëm 4 javë. Në 2007-ën ndenja pushim 6 muaj që të merrja veten. Në këto 4 javë, unë nuk ndaloja së punuari, vetëm s’kisha kontakte me njerëzit sepse duhet të përgatisja trupin për sfidën tjetër. Nuk kam ndaluar së shijuari jetën sikur të ishte dita e fundit./tvklan.al