Këshilltari i Presidentit për Politikat Shëndetësore në Shtetet e Bashkuara udhëzoi që në etiketat e pijeve alkoolike të shtohet paralajmërimi mbi rrezikun e prekjes nga kanceri, duke vënë në dukje se konsumimi i tyre shton mundësinë për rrezik të kancerit të gjirit, mëlçisë, zorrës së trashë dhe llojeve të tjera të kancerit.

“Konsumimi i alkoolit është në mesin e tre shkaktarëve kryesorë të llojeve të ndryshme të kancerit në SHBA, të cilët mund të parandalohen. Alkooli është i treti pas duhanit dhe obezitetit që rrit rrezikun e prekjes nga 7 lloje kanceri”, tha përmes një deklarate zyra e Këshilltarit të Presidentit për Politikat Shëndetësore, të shoqëruar me një studim të fundit.

Sipas të dhënave të këtij raporti, alkooli është shkaktar për 100 mijë raste të sëmundjes me kancer në SHBA dhe për 20 mijë raste të vdekjes nga kanceri çdo vit, shumë më tepër se 13, 500 rastet e vdekjes si pasojë e aksidenteve rrugore.

Aktualisht, në etiketat e pijeve alkoolike në Shtetet e Bashkuara ka paralajmërime mbi rrezikun e alkoolit për shëndetin, këshillohen që gratë shtatzëna të mos konsumojnë alkool dhe po ashtu paralajmërohet se konsumimi i alkoolit dëmton aftësinë e individit për drejtimin e automjetit. Ky paralajmërim nuk ka ndryshuar që nga fillimi i tij në vitin 1988.

Klan News