“Si t’ua shpjegojmë hallin e Presidentit 60 mijë familjeve që presin të mbyllin legalizimet, 220 mijë fermerëve që presin të regjistrojnë tokën, 50 mijë familjeve që presin të ligjërojnë banesat e vjetra, apo 2.8 milionë pronave që presin të rimaten nga themelet se janë lëmsh?”
Kjo ishte pyetja që nismëtari i Ligjit për Kadastrën, Artan Lame, i drejtoi Presidentit Ilir Meta, 2 ditë pas kthimit të Ligjit për Kadastrën për rishqyrtim në Kuvend. Ai e cilësoi këtë veprim si një vonesë për qytetarët shqiptarë, të cilët vazhdojnë të presin zgjidhjen e çështjes së pronësisë prej çerek shekulli, ndërsa nuk harroi të ironizojë edhe akuzat e bëra se Regjistri i Pronës shkon në varësi të Kryeministrit.
“Presidenti shkruan se me këtë ligj, Kryeministri merr atributet e administratorit të Regjistrit të Pasurive të Patundshme. Unë u përpoqa të bëj verifikime dhe nuk më rezulton se Edi Rama të ketë ndërmend të çojë në Surrel arkivin e Kadastrës.”
Lame tha se mazhoranca do të rrëzojë dekretin e Presidentit, ndërsa i premtoi Metës se ditën që Agjencia e Kadastrës do të nisë punën, do të lëshojë certifikatën e pronësisë për Presidencën.
“Garantoj zotin President se një ditë pas fillimit nga puna të Agjencisë së Kadastrës, punonjësit e saj do të paraqiten gjithë respekt në derën e Presidencës së Republikës në Tiranë dhe në Portën e Mauzoleut të Skënderbeut në Lezhë për të lëshuar certifikatën e pronësisë.”
Tv Klan