Liderët botërorë u mblodhën ne Parlamentin Europian për t’i dhënë lamtumirën arkitektit të bashkimi të dy Gjermanive, ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, i ndarë nga jeta pak javë më parë.

Në ceremoninë zyrtare të lamtumirës së Kohl, e para e këtij lloji në historinë e bashkimit Europian, morën pjesë krerët më të lartë të shteteve, nga kancelarja gjermane Merkel, presidenti francez Macron, ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe krerët e institucioneve kryesore europiane, të cilët u përulën përpara arkivolit të ish-kancelarit gjerman. I pranishëm ishte edhe Presidenti i Rpublikës Bujar Nishani. Kreu i Shtetit shprehu keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të Kancelarit Kohl, duke përcjellë ngushëllimet më të sinqerta, edhe në emër të popullit shqiptar.

Trupi i pajetë i Helmut Kohl u prit më në sallën plenare të parlamentit europian, nën tingujt e operas “Saul” të kompozitorit gjerman Georg Friedrich Händel.

Thellësisht e prekur, kancelarja Angela Merkel tha se tashmë është detyra e tyre të vijojnë trashgiminë e Kohl.

“Ai ngriti shtyllat që ende qëndrojnë në këmbë sot. Pa Helmut Kohlin jeta e miliona gjermanëve përtej Murit, përfshirë edhe e imja, do të ishte ndryshe. Faleminderit për shansin që më dhe.”

Helmut Kohl udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet nga viti 1982 deri në 1998-ën. Ish-lideri i Kristian-Demokratëve ishte kancelari më jetëgjatë i shekullit të 20-të. Së bashku me ish-presidentit francez Fronsua Miterran, ai ka meritën për hedhjen në treg të monedhës së përbashkët europiane Euro. 

Tv Klan