Ky shpërthim vokal, me një nga këngët më të bukura të muzikës franceze, “Je t’aime” e kënduar nga këngëtarja e madhe belge, Lara Fabian, zbuloi plotësisht live në teatrin e Televizionit Klan, gjeniun e edicionit të tretë të spektaklit konkurs, Gjeniu i Vogël.

Aleksandër Frangaj:  “Juria ka vendosur me një votim tre me një në favor të Laura Gjipit”.

Laura Gjipi: “Ndjej gëzim dhe nuk e prisja që do merrja çmimin e parë, sepse ka dhe talente të tjera që e kanë zërin si bilbil.”

Vogëlushja dhjetëvjeçare, me zërin e kulluar, një makineri e vërtetë zanore, u përball në një super duel me shkodranin Tedi Paçrami.

Një nga fëmijët më të talentuar dhe më të votuar të spektaklit, duke fituar me vota unanime titullin “Gjeniu i vogël”, të dorëzuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Televizionit Klan, Aleksandër Frangaj.

Gjeniu i Vogël Laura Gjipi, përveç këtij trofeu, fitoi edhe një shumë prej 500 mijë lekësh të reja, ndërsa Tedi Paçrami, fitues i çmimit të dytë, një llogari prej 100 mijë lekësh të reja.

Plot shtatë sfida dyshe, katër sfida të para dhe dy gjysmë finale për t’u ndjekur më pas nga një super duel për titullin e madh përcollën në një mbrëmje të gjatë, jo vetëm një garë të fortë dhe emocionuese për tetë finalistët, por edhe një spektakël të vërtetë për publikun dhe teleshikuesit e ekranit të Klan.

Të tetë finalistët të gjithë fituan edhe nga një laptop dhuratë, përjetuan një garë nga më të bukurat, ku vendimi i jurisë, por edhe ai i publikut, që në rastet e pikëve të barabarta vendosi për fituesin e sfidës përkatëse.

Robert Aliaj Dragot: “Isha i paaftë për t’u shprehur në shumë momente, sepse vërtetë u ballafaqova me shoën më cilësor, më dinamik, më si të thuash, ku adrenalina ishte vazhdimisht prezente. Edhe u ballafaqova me spontanitetin, u ballafaqova me një koncert live, domethënë gjithçka ishte cilësore.”

Nertila Koka: “Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, një, mbresa të pashlyera. Domethënë, unë kam qenë në shumë aktivitete, por si ky ishte, ishte shumë shumë i rrallë, me emocione të papara, sepse fëmijë kaq të talentuar rrallë herë i gjen në një grup, por unë do të thoja se Shqipëria paska shumë talente dhe pres vitin tjetër me kënaqësi të dëgjoj talente të tjera.”

Robert Radoja: “E para ishte një përzgjedhje, një seleksionim e një zgjedhje e fëmijë të mrekullueshëm, e cila ishte shumë duke qenë edhe aty në pozicion që isha, ishte shumë e vështirë me bë dallimin mes njërit dhe tjetrit, por duhej bërë. E dyta ishte një organizim i shkëlqyer dhe momenti i tretë, evenimenti i tretë, që është edhe historik, është në teatrin e ri të Klanit.”

Kjo finale, një spektakël me S të madhe, erdhi pas 14 javësh emocionuese konkurrimi live ku votat e publikut përzgjodhën fituesen e këtij çmimi me 689 vota. Artiola Topi nga Elbasani, që fitoi dhe një llogari bankare në Bankën Kombëtare Tregtare prej 150 mijë lekësh të reja.

Ishin sërish treshja promotorë, Pandi dhe Bledar Laço e Adi Hila, që krijuan këtë spektakël me tërë ngjyrat e tij duke mbyllur me sukses edhe këtë edicion të tretë, një bashkëprodhim me Televizionin Klan, duke pagëzuar me emrin e Gjeniut edhe teatrin e ri.

Bledar Laço: “Nuk është se në fund të një edicioni apo një kompeticioni artistik, siç është Gjeniu, ne që përbëjmë pjesën e krijuesve, ndjehemi të çliruar nga barra apo nga pesha. Më vjen mirë që u mbyll në mënyrën më të mirë edhe më të bukur Gjeniu, ashtu si edhe edicionet e kaluara. Çmimi, besoj, shkoi atje ku duhet. I vlerësoj dhe i falënderoj të gjithë ata që morën pjesë, talentet e rrallë dhe të padiskutueshëm të këtyre fëmijëve të jashtëzakonshëm, që nga java në javë na treguan se jo vetëm janë talente, por dinë edhe ta evoluojnë dhe ta zhvillojnë shumë bukur atë, në kushtet e një teknologjie moderne, si ajo që na ofroi teatri i ri i Televizionit Klan.”

Adrian Hila: “Ishte ndihmë shumë e madhe investimi gjigand që ishte bërë për këtë skenë dhe për këto fëmijë. Shumë të lumtur që spektakli përfundoi jashtëzakonisht shumë mirë dhe shumë bukur. Një natë e gjatë që kaloi shumë shpejt. Fëmijë shumë të talentuar dhe një fitues shumë i mirë”.

Suela Demiri: “Ka ardhur momenti i sfidës më të madhe të Gjeniut të Vogël.”

Një mbyllje spektakolare dhe një emocion më shumë edhe për prezantuesen e këtij edicioni, Suela Demiri.

Suela Demiri: “Më vjen shumë keq që përfundoi. Kam kaluar momente shumë shumë të bukura, nga më të bukurat e jetës time. Nuk do t’i harroj asnjëherë. Falënderoj shumë Televizionin Klan që ma dha këtë mundësi. S’kam për të harruar asnjëherë.”

Përtej konkursit, finalja e tij garantoi spektakël edhe me të ftuarit. Një kolazh me këngë popullore nga grupi Ali Pasha, Lazarela, Maja, dhe Irini Qirjako që dhanë sinjalin e parë të nisjes këtë verë të një tjetër programi të njohur, turneut veror të Maratonës së Këngës Popullore.

Teatrin e Gjeniut e pushtuan më pas këngëtarët Luiz Ejlli, shpërthyesja Juliana Pasha, përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurosong dhe grupi i njohur shqiptar nga Maqedonia, Elita 5, që do të përmbyllnin pak momente para duelit të Gjeniut të show-t të vërtetë televiziv.

Grupi Spektër nën drejtimin e Llaqit dhe Albi Nakos sollën ringjalljen dhe mbylljen e një cikli jete tek fluturat.

Gjeniu i Vogël ka nxjerrë talente të vërtetë, sikundër ishte edhe Klaudia Pepa, balerina fituese e Gjeniut të Parë. Sot, prima balerina e Të Dielës Shqiptare. Me gjeniun e tretë, Laura Gjipin, që tashmë ka të çelur një rrugë për të realizuar ëndrrën e saj, mbyllet edhe edicioni i tretë i Gjeniut të Vogël duke lënë pas dëshirën dhe përkushtimin profesional të një stafi të tërë për vazhdimësinë dhe zbulimin e talenteve të rinj në një edicion të katërt./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani