Dani Olmo është shndërruar në atraksionin e kësaj merkato vere. Performanca e mirë në Euro2024 të cilën e kurorëzoi me titullin dhe këpucën e artë ka bërë që mesfushori me tipare sulmuese të jetë alternativë për shumë skuadra Europiane.
Ai që pengon 26-vjeçarin për momentin është Lajpzig. Gjermanët kanë refuzuar ofertën prej 60 milionë euro të Barcelonës dhe kjo për shkak të mënyrës së propozimit. 40 milionë euro direkt dhe pjesa tjetër në formën e bonusit ka shtyrë Lajpzig që të pres oferta të reja.
Në fakt, këto të fundit nuk synojnë shifra më të larta se 60 milionë euro, gjithsesi janë të gatshëm të lejojnë largimin e Olmos në formulën e 45 milionë eurove plus 15 milionë të tjera që do të mbërrijnë në fund të sezonit.
Mënyrë që tek Barcelona dëshirojnë ta shmangin për të mos rënduar bilancin nga Fair Play Financiar, pasi do të kushtonte shumë në shifrat sezonale. Për autorin e 3 golave në Euro2024 ka pasur interes edhe nga Bayern Munich dhe klubet angleze, por për momentin duket se pista që e dërgon në Katalonjë është më e arritshme.
Klan News