Ky është momenti i arrestimit të një punonjësi policie në Portin e Durrësit. Besard Xhaferri me detyrë kontrollor në stacionin e policisë së portit, u arrestua për shpërdorim detyre. Inspektori i policisë sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka shmangur në mënyrë të qëllimshme kontrollin e një automjeti, me drejtues një 45-vjeçar, i cili ka udhëtuar me linjën Durrës-Bari dhe sapo ka zbritur në Bari, gjatë kontrollit i janë gjetur 2 armë zjarri të tipit pistoletë.
Pas përfundimit të hetimeve dhe zbulimit të rastit, Xhaferri akuzohet për shpërdorim detyre. Pas kërkesës së prokurorisë ndaj efektivit gjykata ka vendosur masën shtrënguese “arrest në burg”.
Për rastin konkret reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Në një postim në rrjetet sociale Balla shkruan se vijon procesi i vetëpastrimit të policisë së shtetit. Sipas ministrit, ka bashkëpunim edhe më të ngushtë mes AMP dhe Prokurorisë së Posaçme sa i përket shkëmbimit të informacioneve lidhur me përfshirjen e mundshme të punonjësve të policisë në veprimtari të paligjshme.
Kjo shkruan Balla do të kontribojë ndjeshëm në realizimin me sukses të procesit të vetëpastrimit dhe, mbi të gjitha, në rritjen e llogaridhënies dhe të besueshmërisë së organizatës së Policisë së Shtetit, si institucion kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend, ku besimi dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera dhe publikun përbëjnë kusht themelor.
Klan News