Hetimi për grupin e Avdylajve është i lidhur ngushtë me Gjermaninë, aty nga erdhën përgjimet e para në vitin 2016 për trafikun e drogës, një dosje e deleguar nga “Eulexi” për Prokurorinë Shqiptare.
Po nga ky vend, të mërkurën gazeta e njohur Bild publikoi edhe përgjime të vitit 2017, ku Altin Avdylaj fliste me zyrtarë lokalë në Durrës për të ndikuar, sipas gazetës gjermane, në zgjedhjet parlamentare të atij viti.
Po në Gjermani, Prokuroria shqiptare kërkon të sigurojë prova të tjera veç atyre të administruara në Shqipëri.
Kjo për faktin se disa familjarë të Astrit dhe Altin Avdylajt, të arrestuar në operacionin Volvo 4, ushtrojnë aktivitet në fushën e biznesit në Gjermani.
Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda sqarojnë se drejt këtij vendi janë nisur letër-porosi ku kërkohet informacione për pasurinë e tyre. Autoritet shqiptare kanë të dhëna se këta persona jetojnë prej vitesh në Shtutgard dhe kanë biznese të ndryshme atje, si hoteleri e kompani ndërtimi.
Një tjetër letër-porosi është nisur edhe drejt Italisë, nga ku priten të dhëna të tjera në lidhje me përfshirjen e grupit në trafikun e drogës.
Gjithashtu një hetim pasuror për grupin e Avdylajve është duke u zhvilluar edhe në Shqipëri, ku në sitë po kalohen të gjitha pronat dhe llogaritë bankare të tyre dhe familjarëve të afërt.
Ndërsa këtë të enjte, në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, Altin Avdyli i njohur me pseudonimin “Niçja” kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, por seanca u shty për një ditë tjetër.
Tv Klan