Letra e fundit nga John McCain u publikuan nga e bija Meghan.
Në fjalët e tij të fundit senatori republikan, i ndarë nga jeta të shtunën, i drejtohet popullit amerikan me disa mesazhe thelbësore, disa prej të cilave u komentuan nga mediat si shigjetim i politikave të debatueshme të presidentit Donald Trump.
“Ne e dobësojmë madhështinë tonë kur fshihemi pas mureve, në vend që t’i rrëzojmë ato; kur vëmë në dyshim fuqinë e idealeve tona, në vend që t’u besojmë atyre për të qenë forca e madhe për ndryshime siç kemi qenë gjithmonë”,
shkruan Senatori McCain.
Ai fton gjithashtu amerikanët të mos dëshpërohen nga vështirësitë aktuale por të besojnë në maddhështinë e Amerikës.
Ndarja nga jeta në moshën 81-vjeçare e senatorit republikan i njohur si kundërshtar politik i Trumpit përplasi sërish presidentin me mediat. Ai u detyrua të hënën të riurdhërojë uljen në gjysmë-shtizë të flamurit të Shtëpisë së Bardhë, pasi kritikave të ashpra se në mëngjesin e të njejtës ditë flamuri ishte ngritur si në një ditë të zakonshme. Ndërsa në gjysmështizë kishte qëndruar vetëm të dielën.
Në dallim nga Shtëpia e Bardhë, flamuri mbi kupolën e Kongresit ka qëndruar në gjysmë-shtizë gjatë gjithë kohës, në nderim të senatorit që ka qenë pjesë pa ndërprerje e Kongresit prej 35 vitesh.
Presidenti amerikan refuzoi në dy raste t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve për McCainin.
Po ashtu edhe në fund të takimit dypalësh në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Kenias.
John McCain kishte kërkuar që Tramp të mos ishte pjesë e funeralit të tij, për shkak të ndasive që kanë pasur për çështje politike që shpesh herë kanë kaluar edhe në fyerje personale.
Pavarësisht se shprehu nderimin për figurën e McCainit përmes Twitterit, Tramp nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit që zhvillohet të dielën në Merilend. Në ceremoni pritet të mos jetë e pranishme as bashkëshortja Melani.
Tv Klan