Me nderime shtetërore iu dha lamtumira këtë të shtunë senatorit amerikan John McCain, i ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.
Të pranishëm në ceremoni në Katedralen Kombëtare në Uashington DC, ishin figurat më të larta të politikës amerikane, ish-presidentët George W Bush, Barack Obama e Bill Klinton, ish-sekretarët e shtetit Hillary Clinton e Henry Kissinger. Por i munguari i madh ishte presidenti aktual Donald Trump. Ishte amaneti i vetë John McCain që presidenti Trump të mos ishte i pranishëm. Ndasitë parimore mes tyre duket se ishin më të mëdha edhe se vetë jeta.
Një fjalim mallëngjyes për babanë e saj por edhe revolte për kundërshtarin e tij, pati vajza e John McCain, Megan.
“Amerika e John McCain është bujare, mikrpitëse dhe guximtare. Ajo është e shkathët, me vetëbesim dhe e sigurt. Ajo flet qetë sepse është e fortë. Amerika e John McCain nuk ka nevojë të jetë madhështore sërish sepse Amerika ka qenë gjithmonë madhështore”, tha Meghan McCain.
Senatori i ndarë nga jeta kishte zgjedhur dy ish-presidentët Bush e Obama për të mbajtur fjalën në nderim të tij, një gjest, sipas Obamës, tipik i John McCain.
“Presidenti Bush dhe unë garuam kundër John McCain në gara në nivelet më të larta të politikës. Ai na bëri ne presidentë më të mirë. Ashtu siç bëri senatin më të mirë, ashtu siç bëri këtë vend më të mirë”, tha Obama.
Një ceremoni shtetërore në nderim të John McCain u zhvillua edhe të premten në Kapitolin e Kongresit Amerikan, ku ai shërbeu për 3 dekada.
Tv Klan