Lideri i opozitës në Venezuelë, Edmundo Gonzales, është arratisur nga vendi dhe ka kërkuar azil politik në Spanjë. Lajmin e ka bërë të ditur qeveria venezueliane.

Gonzales qëndronte i fshehur pas një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tij, i cili kishte kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të Korrikut, ku Këshilli Kombëtar Zgjedhor që kontrollohet nga qeveria nxorri fitues Presidentin Nicolas Maduro.

Zv/Presidentja e Venezuelës tha se Gonzales kishte shkuar në ambasadën spanjolle disa ditë më parë dhe kërkoi azil politik nga qeveria spanjolle.

Autoritetet ranë dakord për kalimin e tij të sigurt dhe se lideri i opozitës ishte larguar. Gonzales udhëtoi nga Venezuela me një aeroplan të Forcave Ajrore Spanjolle.

Por teksa lideri i opozitës venezueliane u largua nga vendi, forcat e sigurisë në Venezuelë kanë rrethuar ambasadën e Argjentinës në Karakas. Gjashtë kundërshtarë politikë të Presidentit Maduro janë strehuar aty. Ministria e Jashtme e Venezuelës pretendon se brenda ambasadës argjentinase po komplotoheshin akte terroriste.

Venezuela është në krizë politike që prej 28 Korrikut, kur fitues i zgjedhjeve u shpall sërish Presidenti Maduro.

Opozita vendase pretendon se zgjedhjet i fitoi bindshëm Edmundo Gonzales. Shumë shtete, mes të cilave SHBA dhe BE kanë refuzuar të njohin Presidentin Maduro si fitues nëse nuk publikon të dhëna të detajuara të votimit në Karakas.

Më shumë se 2400 persona janë arrestuar nga qeveria venezueliane që prej zgjedhjeve.

/tvklan.al