AMF: Po punojmë me Bankën Botërore
Prej disa muajsh Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nisur punën me Bankën Botërore për hartimin e një ligji i cili do të bëjë të detyrueshëm sigurimin e banesave nga katastrofat natyrore. Nisma më pas do të jetë në dorën e qeverisë dhe kuvendit për t’u miratuar, por domosdoshmëria për të lindi pas pasojave që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit, i cili la në dorën e buxhetit të shtetit një faturë prej 985 milionë eurosh.
Në raportin vjetor të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare thotë se ka rritur provigjonet që kompanitë duhet të mbajnë për katastrofat, ndërsa shprehet për domosdoshmërinë e ndërgjegjësimit të popullatës për këtë kategori sigurimi.
“U sigurua mbështetje me asistencë teknike nga Banka Botërore dhe ka vazhduar menjëherë puna me konsulentët dhe grupin e punës në Autoritet për hartimin teknik të ligjit për përballimin e situatave nga katastrofat natyrore sikurse është tërmeti.”
Në variantin fillestar është duke u diskutuar mundësia e vendosjes së një primi sigurimi nga 15 deri në 25 euro në vit për çdo person që disponon një banesë, ndërsa vlerësohet që kompensimi i dëmit të arrijë në 25 mijë euro.
Për shtëpitë për të cilat qytetarët kërkojnë kompensim me vlerë më të madhe, duhet të ndiqet rruga e sigurimit vullnetar. Për 5 muajt e parë të këtij viti sigurimet e prera në kategorinë e dëmtimeve në pronë rezultojnë 8.3 milion dollarë, 18.6% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tv Klan