Projektligji për mbrojtjen e të dhënave personale ka shkaktuar debat në seancën plenare të ditës së sotme. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla u shpreh se ky projektligj ka marrë 100% konfirmimin e Komisionit Europian.
Balla ndër të tjera i tha opozitës që një opozitë normale duhej ta mbështeste këtë projektligj, pasi sipas tij qëllimi i tij është mbrojtja e qytetarëve të Republikës.
Taulant Balla: Shqipëria po përafron legjislacionin e vetë që të mbrojë qytetarët. Ka dal opozita dhe po bërtet se pse ne po përafrojmë legjislacionin tonë të mbrojmë qytetarët dhe të dhënat personale. Pse bëheni qesharak? Ne natyrshëm nuk kemi shkuar në atë nivel që janë masat maksimale të një pjese të vendeve anëtare, por kemi bërë një ligj që kemi marrë 100% konfirmimin e Komisionit Europian. Në këtë aspekt është keqardhje dhe po e përsëris, unë si qytetar jo vetëm e mbështes këtë ligj, por është gjë e duhur që në këtë moment kërcënimi të demokracisë nga keqpërdormi i i aktorëve jo dashamirës të rrjeteve sociale dhe puna që po bëhet në komision kundër dezinformimit është puna e duhur dhe është e mirëpritur kontributi i opozitës. Ajo që ndodhi në zgjedhjet në Rumani është konfirmimi se si këto rrjete sociale mund të shndërrohen në instrument të ndikimit të proceseve demokratike, të aktorëve të huaj në një vend të caktuar.
Fakti që jemi sot dhe ne miratojmë një ligj të fortë sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale dhe sa i përket luftës kundër përdorimit dhe të rrjeteve sociale, kjo është gjë e duhur dhe një opozitë që ja ka marrë dorën humbjes së zgjedhjeve duhet ta konsiderojë këtë një hap pozitiv në këtë aspekt. Një opozitë normale duhej të çohej sot dhe të thoshte ne e përshëndesim. Ju thatë vetë që një akuzë e caktuar ka penalitete shumë të forta. Nuk gjej dot asnjë argument me ato që ju renditët që të jenë kundër këtij ligji.
Ndër të tjera Balla u ndal edhe tek zgjedhjet e 11 Majit dhe vota e emigrantëve, ku u shpreh se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë të qartë për votën e tyre.
Taulant Balla: Po flas edhe për zgjedhjet e 11 Majit. Pashë udhëheqësin tuaj që kërcënoi ambasadat dhe diplomatët dhe ju bëri thirrje militantëve që të godasin me vezë dhe domate diplomatët e Shqipërisë. Kemi bërë një kallëzim për këtë çështje dhe prisni rezultatet e kallëzimit. Është e turpshme dhe e papranueshme që një njeri që ka qenë President, Kryeministër i këtij vendi dhe pastaj non grata të mos ketë kuptuar që shërbimi diplomatik është i depolitizuar, por ajo që ka nevojë ky proces është dakordësia që ju duhet të jepni për shkak se Partia Socialiste nuk i ka 84 vota që të mundësohet ndryshimi në kodin zgjedhor sa i takon afateve të regjistrimit të kandidatëve, siç ka kërkuar KQZ për të dërguar në kohë fletët e votimit tek të gjithë ata qytetarë që do të regjistrohen me shumicë sepse një gjë është e sigurtë që qytetarët në diasporë e dinë fare mirë që në 11 Maj duhet votuar Edi Rama dhe Partia Socialiste. Ata e dinë shumë mirë sepse ka ikur koha kur 12 vite më parë kishin turp të thonin që janë shqiptarë. Sot e thonë me shumë krenari që janë shqiptarë.
/tvklan.al