Reperi i famshëm, Sean “Diddy” Combs është arrestuar në New York City. Lajmin e konfirmoi Prokurori i SHBA-së, Damian Williams në një deklaratë të hënën mbrëma.

“Më herët këtë mbrëmje, agjentët federalë arrestuan Sean Combs, bazuar në një aktakuzë të mbyllur të ngritur nga SDNY,” tha prokurori.

Më tej, ai shtoi se akuza planifikohet të zbardhet të martën në mëngjes teksa tha se gjatë ditës së sotme do të kenë më shumë detaje për të ndarë.

Arrestimi i reperit në Manhattan pasoi kontrollet në 2 pronat e tij në Los Angeles dhe Miami në Mars, si pjesë e një hetimi në vazhdim për sulme seksuale.

Në lidhje me ngjarjen, avokati i tij Marc Agnifilio tha se ishin të zhgënjyer nga drejtësia pasi pretendoi se klienti i tij ishte i pafajshëm.

“Ne jemi të zhgënjyer me vendimin për të ndjekur atë që ne besojmë se është një ndjekje e padrejtë. Sean ‘Diddy’ Combs është një ikonë muzikore, një sipërmarrës i vetëbërë, njeri i dashur i familjes dhe filantropist i dëshmuar që ka kaluar 30 vitet e fundit duke ndërtuar një perandori, duke adhuruar fëmijët e tij dhe duke punuar për të ngritur komunitetin me ngjyrë”, u shpreh avokati i reperit.

Ai është përballur me një sërë akuzash që nga sulmi seksual deri te abuzimi, duke përfshirë edhe ish-partneren e tij Casandra “Cassie” Ventura dhe padinë e përdhunimit të një vajze të mitur.

Problemet ligjore të reperit filluan në Nëntor 2023 kur Ventura ngriti padinë e saj. Në Maj, pamjet të postuara nga CNN ku ai shfaqej duke sulmuar ish-partneren e tij tronditën mbarë opinionin publik.

Më pas, 2 gra të tjera ngritën padi duke pretenduar se “Diddy” i kishte abuzuar dhe sulmuar seksualisht. Ai mohoi të gjitha akuzat në atë kohë dhe një zëdhënës i reperit i quajti paditë një “rrëmbim parash”.

Më pas, në muajin Dhjetor një tjetër padi goditi reperin. Kësaj here ishte një tjetër grua që pretendonte se ishte trafikuar nga Combs dhe 2 meshkuj të tjerë kur ishte 17 vjeç.

Ndërkohë, në Shkurt të këtij viti, një tjetër padi u ngrit ndaj reperit nga ish-producenti i tij Rodney Jones, i cili u shpreh se “Diddy” u përpoq ta “ushtronte” që të kryente marrëdhënie seksuale me të tjerët. Combs i mohoi akuzat, por një muaj më vonë, pronat e tij u bastisën./tvklan.al