Epoka e re e turizmit në Shqipëri vijon të hapë rrugë të reja bashkëpunimi dhe partneriteti. Që prej datës 28 Mars, linja e mirënjohur ajrore Iberia ka nisur operimin në Shqipëri duke lidhur direkt Tiranën me Madridin.
Këtë të diel, ky partneritet u përgëzua nga delegacioni i pëfaqësuesve të Spanjës, të cilët mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, nga Madridi, me linjën Iberia.
Piervittoria Farabbi, drejtor operacional i TIA: Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës është kthyer tashmë në motorrin e zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Fluturimi me Iberian, 3 herë në javë përgjatë gjithë periudhës së verës, është një mundësi e shkëlqyer për shkëmbimin kulturor dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik e social mes Shqipërisë dhe të Spanjës.
Linja e fluturimeve Madrid-Tiranë nuk pritet të sjellë në Shqipëri vetëm turistë nga Spanja, por nga e gjithë bota.
Alvaro Renedo Zalba, ambasadori i Spanjës për Shqipërinë: Jam i bindur se kjo linjë do të vazhdojë të ndikojë në rritjen e madhe të numrit të turistëve nga Spanja. Faleminderit për këtë urë të rëndësishme mes Spanjës dhe Shqipërisë.
Felix de Paz Zalba, kreu i Agjencisë Kombëtare të Promovimit të Turizmit në Spanjë: Ardhja e Iberia në Shqipëri është domethënëse sepse është një prej linjave ajrore më të mëdha në botë. Ata vijnë pas një studimi të thelluar, për mundësitë e turizmit dhe elementë të tjerë që do sjellin sukses. Fluturimi që erdhëm nga Madrid ishte plot dhe kjo tregon shumë që epoka e re e turizmit është tashmë një fakt.
Për autoritetin e aviacionit civil prezenca e kompanisë spanjolle të fluturimeve është një mundësi më shumë për të gjeneruar zhvillim në vend.
Maksim Et’Hemaj, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil: Më shumë turistë do të thotë më shumë fluturime, më shumë kapacitete, me shumë vende të reja pune dhe sigurisht rritje ekonomike për vendin.
Ky zhvillim pritet të forcojë më tej marrëdhënien e Shqipërisë me një nga partnerët më të fortë të turizmit siç është Spanja.
Tv Klan