Tetë janë emrat e konfirmuar që konkurrojnë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit deri më tani. Për postin e lënë vakant pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut kanë aplikuar punonjës policie me gradën e nivelit drejtues, të cilët janë aktualisht në radhët e policisë, por edhe ish-drejtues të cilët prej vitesh nuk janë pjesë e uniformave blu.
Deri pasditen e të mërkurës kanë aplikuar 8 persona, të cilët janë: Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Adriatik Tafçiu, Ilir Proda, Altin Mena, Ardian Çipa, Idajet Faskaj dhe Shemsi Prençi. Ky i fundit edhe pse ka hedhur kandidaturën nuk përmbush kriteret për shkak se prej vitesh nuk është pjesë aktive e Policisë së Shtetit.
Ky kriter është caktuar në ligjin e ri të Policisë së Shtetit të miratuar së fundmi në Parlament. Afati përfundimtar për të aplikuar për drejtor policie është ora 24 e të mërkurës, ndërsa të enjten pritet të bëhet zyrtare lista e plotë me emrat e kandidatëve.
Ata brenda 10 ditësh do të kalojnë filtrin e komisionit të posaçëm. Pas vlerësimit me pikë të të gjithë aplikantëve, emri i njërit prej tyre do të përzgjidhet nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha për t’iu propozuar Kryeministrit.
Kjo është hera e parë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zgjidhet përmes konkurrimit.
Klan News