Vetëm pak minuta pas deklaratës së GJKKO-së, e cila foli për cenim të sigurisë dhe pavarësisë së gjyqtarëve gjatë protestës së zhvilluar për Erjon Veliajn, Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Rama se qëndron pas sulmit kriminal ndaj institucioneve të drejtësisë.

“Sulmi që u bëre, tejkalove “El Chapo”, “Toto Rinon”, çdo kriminel tjetër në pushtet dhe jashtë pushtetit që ka ekzistuar deri më sot”, tha Berisha.

Foli për tejkalim të normave, duke i dhënë një ultimatum Ramës.

“Po thirre protestë tjetër do të thirret protesta përfundimtare për ty. Mos guxo se popullin do e kesh edhe në Surrel”, tha Berisha.

Jo një, por disa herë u kujdes ta paralajmërojë në rast se tenton destabilizimin e vendit.

“Mos destabilizo vendin, do përgjigjesh personalisht për të gjitha. Ne do mbrojmë Kushtetutën, do shpallim lëvizjen për mbrojtjen e Kushtetutës”, u shpreh kryetari i PD.

Poshtë hodhi çdo pretendim të ngritur nga Ministri i Brendshëm dhe foli për një skenar të dhunshëm, me njerëz të armatosur.

“Kush nuk e dinte? Një natë më para kanë qarkulluar mesazhet në të gjitha telefonat e Shqipërisë, po na çojnë me detyrim thuhej . Çon policinë e bashkisë me trafikantë për të goditur makinat e gjykatësve, për të mbajtur peng gjykatësit për orë të tëra në ndërtesë”, tha Berisha.

Ndaj dhe gati tha se ka paditë për organizatorët e sulmit kriminal ndaj institucioneve të drejtësisë.

“Do dërgojë për ndjekje penale Ministrin e Brendshëm Ervin Hoxhaj, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Matriksin dhe vetë Edi Ramën për aktin e paprecedent, e pashembullt që ka ndodhur dje, kur segmente të shtetit ngrihen me dhunë kundër institucioneve të tjera”, tha Berisha.

Refuzoi të heqë paralele mes mbështetësve të tij dhe atyre të Erjon Veliajt, teksa paralajmëroi konferencën e radhës të hënën përpara SPAK-ut.

“Të hënën do shkoj dhe do bëj konferencën më të shkëlqyer të shtypit, aty është një sfond i mrekullueshëm. Edhe çdo javë po e bënë do shkoj”, tha Berisha.

Berisha është i bindur se sulmi ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të SPAK-ut është vetëm fillimi i një skenari për përdorimin e policisë në zgjedhjet e 11 Majit.

“Absolutisht qëllimi i Ramës dhe vendosja e Ervin Hoxhajt, kjo është, ky Proda është mister ‘Matrix’”, tha Berisha.

Por cili është armiku i përbetuar i Erion Veliajt që fshihet pas pseudonimit Nesti Angoni, dosjen voluminoze të të cilit e kishte mbi tavolinën e tij?

“Është Balluku dhe Rama, Bistri bëri përgjimet, letra erdhi nga burgu i Fierit. Rama përgatiti të gjithë gropën, po ishte për një arrest shtëpie dhe s’ia preu mendja. Rama s’e dëshironte në burg se sheh veten e vet bashkë me të.”

Në morinë e zyrtarëve të korruptuar sipas tij të Edi Ramës nuk renditi vetëm numrin dy të qeverisë, por gjithmonë kujdeset të përmendë edhe ish-Ministrin e Brendshëm Taulant Balla.

“Para 4-5 muajsh, ai po bëhej gati të arrestohej dhe hoqën dorë. Me urdhër të Edi Ramës”, tha Berisha.

Tv Klan