Teksa u shpreh i kënaqur me shifrat që kanë rezultuar nga anketimi i fundit për besimin te Policia e Shtetit, kryeministri Edi Rama vuri theksin tek projekti “Smart City”. Sipas tij, të gjitha ankesat e qytetarëve dhe çdo shkelje, do konfirmohen në kohë reale në 20 qytete të vendit.

“Duhet analizuar se të çfarë natyre janë ankesat e qytetarëve që lidhen me Policinë Rrugore, me aksidentet rrugore, me shkelje të natyrës së qarkullimit rrugor. Por nga ana tjetër, ne do e ndihmojmë Policinë me një instrument të ri dhe do kemi transformim epokal sa i përket survejimit me kamera të qyteteve dhe me fokus qarkullimin rrugor, shkeljet dhe shkelësit. Një sistem i bazuar tek fjala e fundit e teknologjisë dixhitale, i pasuruar edhe me IA që i jep në kohë reale Policisë së Shtetit, përmes sallave të monitorimit, që do fillojë në 20 qytete. Së shpejti nis edhe investimi që i njëjti sistem të futet në rrugët kombëtare, dhe ku çdo ankesë të jetë e verifikueshme në kohë reale. Verifikon me personin, emrin, mbiemrin dhe gjithë kartelën e tij në aspektin e precedentëve penalë”, deklaroi Rama.


U ndal edhe tek Akademia e Sigurisë, për të cilën tha se nevojitet punë që të jetë e nivelit europian.

Nisur nga plani për kampin e ri të sigurisë, kryeministri tha se “Policia e Shtetit 2030 do jetë një nga krenaritë e mëdha të Shqipërisë  në Bashkimin Evropian”.

/tvklan.al