Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla i është kundërpërgjigjur akuzave të Ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Në një reagim publik, ai hedh poshtë akuzat në drejtim të tij për korrupsion, të cilat i quan tinëzare dhe të papranueshme.

“Unë hedh poshtë në mënyrë kategorike akuzat tinzare për korrupsion të lëshuara kundër meje nga Ambasadori i SHBA-ve Donald Lu, gjatë javëve të fundit. Akuzat e Ambasadorit Lu janë pa bazë dhe do të provohen të pavërteta nëse do të paraqiten përpara çdo gjykate”.

Llalla shprehet se e ka mbështetur dhe vijon ta mbështesë Reformën në Drejtësi dhe thekson se do të mbështesë çdo reformë në interes të shqiptarëve.

“Përfitoj nga mundësia për të ripërsëritur në mënyrë të qartë dhe të prerë se unë kam mbështetur dhe vazhdoj të mbështes Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Unë mbështes çdo reformë që i shërben interesave të popullit shqiptar duke garantuar një sistem të pavarur drejtësie dhe ndarje të pushteteve. Por unë jam kundër çdo përpjekjeje për ta vendosur drejtësinë shqiptare nën ndikimin e kujtdo—qeverisë, partive politike, oligarkëve, apo interesave kriminale dhe të biznesit. Natyrisht, kurdo që ka qenë e nevojshme unë kam dhënë këndvështrimin tim për propozimet konkrete gjatë hartimit të reformës. Qëndrimet e mia kanë reflektuar gjithmonë shqetësimin tim të thellë për detyrimin tim si Prokuror i Përgjithshëm për të siguruar se prokuroritë vazhdonin të luftonin krimin dhe korrupsionin edhe gjatë kohës që hartohej reforma dhe për të ruajtur moralin e shumë prokurorëve dhe punonjësve publikë që janë të ndershëm dhe të pa korruptuar”.

Më tej në reagimin e tij, ish-Kryeprokurori thotë se

“është e drejta e publikut të shqyrtojë dhe gjykojë punën dhe arritjet e mia si Prokuror i Përgjithshëm, por unë nuk kam ndërmarrë kurrë asnjë hap apo veprim kundër reformës në drejtësi, nuk kam abuzuar kurrë me detyrën dhe nuk jam përfshirë kurrë në veprime korruptive”.

Për Llallën, sulmet personale, siç i quan ai, të Ambasadorit Lu, janë të papërgjegjshme dhe të papranueshme.

“Për mua është e vështirë të kuptoj se si një ambasador i huaj mund të pretendojë të ketë dijeni për një hetim të supozuar nga autoritetet e vendit pritës. Ambasadori Lu jo vetëm që e ka futur veten e tij në procese hetimore vendase, por ai i ka dhënë vetes të drejtën të sillet si prokuror, gjykatës dhe juri duke shpallur publikisht se unë jam nën hetim dhe pastaj duke më shpallur të fajshëm dhe me çfarë duhet të dënohem, pa patur asnjë provë dhe pa asnjë proces të rregullt”

Më tej, ish-Kryeprokurori thotë se qëndrimi i Lu ndaj tij është në vazhdën e përpjekjeve të vazhdueshme të tij për të ndikuar në administratën e drejtësisë në Shqipëri. Llalla thotë se ka ardhur momenti që ambasadori amerikan të ndalojë

“së abuzuari pushtetin e tij duke ndërhyrë në administrimin e sistemit të drejtësisë shqiptare”.

“Fatkeqësisht, qëndrimi ndaj meje është një tjetër rast në vazhdën e përpjekjeve të vazhdueshme të Ambasadorit Lu për të ndikuar administratën e drejtësisë në Shqipëri, ndër të tjera duke sulmuar në mënyrë arbitrare të gjithë prokurorët, përfshi prokurorët e ndershëm dhe të devotshëm të cilët rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre për të luftuar trafikun e drogës dhe korrupsionin politik. Sjellja e Ambasadorit Lu është shtrembërim i diplomacisë dhe dhunim i hapur i ligjve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Është momenti që Ambasadori Lu të ndalojë së abuzuari pushtetin e tij duke ndërhyrë në administrimin e sistemit të drejtësisë shqiptare”./tvklan.al