E ftuar në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan psikologia Arbjola Halimi u shpreh se angazhimi i fëmijëve në platformat online, apo në lojëra të ndryshme i ekspozon ata gjithnjë e më shumë ndaj rreziqeve. Psikologia shtoi se duhet bërë një apel për të gjithë prindërit dhe profesionistët në institucione për të pasur një kujdes të shtuar ndaj fëmijëve.
“Apeli është një fëmija përfshihet në disa lojëra, ku Roblox është një prej më kryesore, por ndër më të rrezikshmet janë ato platforma të cilat kanë kryesisht përmbajtje agresive. Por, janë platforma ku nuk luajnë vetë fëmijë të së njëjtës mosha, pra ke fëmijë të cilët janë nga grup-mosha të ndryshme të cilët, mblidhen bashkë në këto platforma. Mendoni se sa e rrezikshme mund të jetë situata. Janë platforma jashtëzakonisht të rrezikshme sepse ti kur e ekspozon fëmijën në një ambient me një person të panjohur sigurisht të kap një lloj frike, jo më ta kesh të ekspozuar në një numër kaq të lartë personash që nuk njeh fare dhe që nuk ke mund t’i shikosh. Është një çështje e cila meriton realisht një vëmendje shumë të madhe sot. Të bëjmë një apel për prindërit dhe për të gjithë profesionistët nëpër shkolla, për të pasur kujdes sepse është shumë e vështirë për ta zbuluar fëmijën sepse dhe fëmija vetë nuk e kupton se deri ku shkon kontakti me persona të tjerë në këtë lojë,” u shpreh psikologia.
Duke folur për platforma apo lojëra të rrezikshme si Roblox apo FreeFire, psikologia renditi dhe disa nga pasojat psikologjike që u shkaktohen fëmijëve. Ndër të tjera ajo përmendi përfshirjen e tepërt në këto lojëra, agresivitetin dhe mos dallimin e virtualitetit me realitetin. Arbjola Halimi tha gjithashtu se përveçse këto lojëra nuk janë aspak kreative, ato dëmtojnë njëkohësisht dhe aftësinë e të menduarit të fëmijës.
“Kam pasur një rast të një fëmije i cili thoshte nuk dua të shkoj në shkollë sepse shkolla është një ambient shumë negativ, pra përdorte thënie që i ishin thënë nga persona më të rritur gjatë kontakteve virtuale për t’i orientuar në forma të tjera. Është shumë problematike gjithë përfshirja e fëmijëve online sot sidomos në këto lojëra. Shumë problematike është dhe “FreeFire”, një lojë ku fëmijët luajnë me vrasje me dhunë, bëhen grupe dhe janë mjaft agresorë në mënyrën sesi luajnë aty. Këto nuk janë lojëra që nxisin kreativitetin dhe inteligjencën tek fëmija, këto janë lojëra që nxisin një lloj mekanizmi tjetër psikologjik që është ajo ndjesia e garës dhe unë të fitoj e me radhë, ndërkohë që fëmijë nuk është mjaftueshëm i pjekur për të hyrë në kompeticione të tilla dhe për të kuptuar realitetin e gjithë gjësë. Në momente të caktuara ai kur pëson një humbje nga kjo loja e me radhë fillon ta përjetojë në mënyrë tepër reale duke çuar në pasoja shumë të dëmshme për fëmijën. Jo vetëm që nuk rrisin kreativitetin, por e bëjnë fëmijën pak më “down”, pak më trashë nga ana mendore. Pasi është shumë i përfshirë në këtë realitetin virtual i cili i bëhet i vështirë fëmijët për t’u dalluar që është virtual dhe jo real,” tha Arbjola Halimi./tvklan.al