Mickoski: Burg për të gjithë politikanët e përfshirë në vepra penale
Një ditë pas votimit të Ligjit për Prokurorinë Publike, LSDM-ja ka organizuar marshin e ashtuquajtur “Hapërojmë për Drejtësi”. Marshi ka filluar nga Kuvendi duke përfunduar tek kompleksi i gjykatave. Ish-Kryeministri dhe lideri socialdemokrat Zoran Zaev ka theksuar se pasi Kuvendi miratoi ligjin për Prokurorinë Publike tani fjalën e ka drejtësia.
“Nuk do të lejojmë, për shkak se edhe jurisprudenca, edhe Parlamenti, pushteti ekzekutiv e lokal, ekzistojnë për qytetarët. Këtu jemi me sytë hapur për të pritur epilogun juridik e të gjitha rasteve. Atje ku ka dëshmi, presim vendime transparente sipas Kushtetutës, ligjeve dhe bindjeve personale të gjykatësve”, thotë kryetari i LSDM Zoran Zaev.
Lideri i opozitës Hristijan Mickoski bëri të ditur se në fillim të Marsit do të publikojë emrat e bartësve të listave në njësitë zgjedhore. Ai ka drejtuar akuza ndaj qeverisë dhe liderit socialdemokrat se me zgjidhjet ligjore po përpiqet të amnistohet.
“Shansi është më 12 Prill kur qytetarët do të flasin zëshëm, kurse unë premtoj se do të ketë përgjegjësi për të gjithë ata që kanë kryer krime, pa marrë parasysh nëse janë nga LSDM-ja, VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja, ASH-ja, Besa apo parti tjera. Thelbi është të kemi drejtësi të vërtetë në vend”.
Pas shpërndarjes së Kuvendit, partitë tashmë kanë aktivizuar fushatat e tyre në kërkim të votës. Duke marrë parasysh retorikën e përdorur në këtë pragzgjedhjeje duket se Maqedoninë e Veriut e pret një Pranverë e nxehtë politike.
Tv Klan