Brenda dy viteve, Ingrid ka pësuar humbjen e njëpasnjëshme, të fortë e me dhimbje çjerrëse të prindërve të saj. E mbytur nga emocionet në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo e ka të vështirë të flasë për ta sepse dhimbja është ende shumë e freskët, ashtu si e vërteta që i erdhi në një ditë nëntori. E ëma sapo kishte ndërruar jetë kur një mikeshë i tregoi se prindërit që e kishin rritur e dashur aq shumë, s’ishin ata biologjikë.
Për vite me radhë, miqtë e familjes ishin betuar ta ruanin sekretin, por e vërteta ruhej edhe në dokumentet e trashëgimisë ku emri i Ingridit nuk rezultonte në ndonjë certifikatë. Kësaj prove i bashkëngjitet edhe një kujtim i Ingridit, një frazë e të atit që nuk ia kishte kuptuar dot peshën deri në momentin që mësoi të vërtetën.
Ingrid: Jemi të dy me babain të majit. Gjithmonë bënte shaka kur vinte ditëlindja, se e kemi me 7-8 ditë diferencë, unë jam e 4 majit, babi i 13 majit. Ne jemi lulet e pranverës i thosha unë, por ai më thoshte “ti je lulja e Pranverës”. Nëna ime gjenetike quhet Pranvera.
Ardit Gjebrea: Uau!
Ingrid: Po, është koincidencë. Të lindur të dy në të njëjtën ditë. Edhe mamaja, Pranvera është e 13 majit.
Ardit Gjebrea: Me babain tënd?
Ingrid: Me babain tim.
Ardit Gjebrea: Ai e dinte emrin e nënës tënde?
Ingrid: Sigurisht, birësimi është bërë në mënyrë…
Ardit Gjebrea: Prandaj ai të thoshte “ti je lulja e Pranverës”.
Ingrid: Po, por të tëra këto janë perceptime të mëpasme. Është një proces i dhimbshëm sa nuk di. Sot e kuptoj pse më thoshte “ti je lulja e Pranverës”. Mamaja ime quhet Pranvera Tola, lindur në Tiranë. Në moshën 20-vjeçare më lind mua dhe ndërron jetë në ’77-ën, në janar. Mbase mund të jem edhe unë arsyeja, të lindje një fëmijë jashtë martese, fëmijë dashurie si mund të thuhet, nuk është e thjeshtë./tvklan.al