Lulzim Basha është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike për herë të dytë duke marrë 53931 vota, 48795 vota më shumë se rivali i tij Eduard Selami që mori 5136.
Selia blu thotë se 767 vota dolën të pavlefshme dhe 61 fletë kanë qenë të dëmtuara. Votimet për zgjedhjen e kryetarit të PD u zhvilluan dje nga ora 08:00 deri në orën 19:00.
Në zgjedhjet për kreun e ri të demokratëve votuan 59766 anëtarë nga 103.952 ose 57%.
Fitorja e Lulzim Bashës vjen në një kohë kur brenda PD-së një grup anëtarësh kanë dalë publikisht kundër tij, duke e akuzuar si shkaktarin e humbjes së zgjedhjeve dhe shkatërrimin e kësaj force politike.
Në krye të kësaj lëvizje qëndron Astrit Patozi, dhe që mbështetet nga figura të demokratëve si Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Genc Ruli, Majlinda Bregu, Besnik Mustafaj etj. Ata e quajtën farsë këtë proces dhe kërkojnë largimin e Lulzim Bashës.
/tvklan.