Pavarësisht se në Spitalin e Lushnjes ka rezerva gjaku për të sëmurët talasemikë, nevojat janë të shumta. Familjarët e të sëmurëve janë të detyruar të dhurojnë gjak vetëm në rastet kur i afërmi i tyre rrezikon jetën.

Përballë kësaj gjendje, drejtuesit e spitalit në Lushnje shfrytëzojnë edhe dhurimet nga punonjësit e institucioneve shtetërore.

“Po duhet të dhurojmë për njerëzit në nevojë, sa më shumë të dhurojmë edhe njerëzit në nevojë i ndihmojmë më shumë. Kjo na ndihmon të krijojmë jo vetëm një sasi të mjaftueshme për njerëzit në nevojë, por krijojmë edhe një solidaritet midis punonjësve dhe komitetit lokal. Kanë nevojë për gjak dhe ajo më shtyu më tepër se kemi njerëz që kanë shumë nevojë, sidomos zona e Lushnjës, që ka shumë talasemikë duhet medoemos ti ndihmojmë”, thanë disa prej punonjësve dhurues.  

Sipas mjekes transfuziologe Emira Alzoti, është punuar vitet e fundit me bashkitë, policinë dhe universitetet për dhurimet vullnetare.

“Janë përfshirë institucionet, universitetet dhe është rritur sensibilizimi i njerëzve karshi dhurimit të gjakut. Nevoja është gjithmonë sepse gjaku e para është një produkt i cili ka një afat skadence”, tha Emira Alizoti.

Në bankën e gjakut të Lushnjes marrin një herë në muaj gjak 250 pacientë talasemikë nga Fieri, Berati, Kuçova, Vlora dhe Lushnja.

Klan News