Mbyllja e tregut industrial të qytetit të Lushnjës, ka ngritur në protestë rreth 300 tregtarë që ushtrojnë këtu aktivitetin e tyre. Pronarët e truallit kanë planifikuar ndërtimin e një qendre tregtare në sipërfaqen e tij dhe e kanë mbyllur atë për të nisur punimet. Por tregtarët thonë se vendimi është arbitrarë dhe se nuk janë lajmëruar më parë nga bashkia.

“Bashkia na premtoi, para se të ikni nga ai tregu do t’u bëjmë treg tjetër. Tani në fund vjen sjell firmën aty për t’u ndërtuar dhe neve na kanë nxjerrë jashtë rruge”.

“Vjet kryetari i bashkisë vjen dhe na thotë që nga ky treg do ikni. Shkoni te privati paguani lekët nga 800 mijë. Kishim s’kishim me borxh i morëm i dhamë në dorë 800 mijë privatit atje. Kur erdhi puna, na tha qe tregu atje është i paligjshëm, do punoni këtu. Punuam 6 muaj, shtytëm 6 muaj tani thotë do ta bëj shesh ndërtimi për pallat”.

“Mua të më lëvizi nga puna në punë, jo t’i teket në 12 të natës të heqi tregun”.

Bashkia në fakt ende nuk ka një zgjidhje për këtë problem dhe u ka rekomanduar tregtarëve të shesin në tregje private deri në gjetjen e një ambienti të ri.

Fatos Tushe: “Kjo është një pabesi që është bërë nga këta zotërinjtë, pavarësisht kanë të drejtën e pronës sepse kanë pronën e tyre, kanë marrë një leje ndërtimi, por për zgjidhjen tuaj u mendua kjo mënyrë që të shtyhej afati nja dy javë deri sa ne të sistemonim”.

Debatin për mbylljen e tregut, është një konflikt i përsëritur mes tregtarëve dhe bashkisë së qytetit, e cila deri më tani nuk ka mundur t’i japë zgjidhje këtij problemi./tvklan.al

Gazetare: Anila Sefa

Montazh: Ergis Hasanbelli