Makinat që kanë pësuar aksidente në rrugët e Tiranës janë sjellë nga policia rrugore dhe janë vendosur pikërisht përballë komisariatit të policisë rrugore të Tiranës.

Dhjetëra syresh të shkatërruar thuajse plotësisht janë hedhur si mall pa zot në të dyja anët e një prej rrugëve me fluks të lartë lëvizjesh.

Për pasojë rruga është ngushtuar dhe qarkullimi është vështirësuar së tepërmi.

Gazetari: Janë më shumë se 30 makina, të cilat kanë bllokuar të gjithë rrugën “Aleksandër Moisiu” në Kinostudio. Këto makina fatkeqe të shndërruara në hekurishte pavlerë kanë shumë kohë që flenë në këtë rrugë. Në fakt vendi i tyre duhet të ishte vetëm pak metra më tutje në oborrin e komisariatit të policisë rrugore, i cili është i tejmbushur me mjete të bllokuara për mungesë dokumentacioni.

Drejtuesit e policisë rrugore të Tiranës të kontaktuar me telefon nga televizioni Klan nuk pranojnë të japin asnjë lloj prononcimi në lidhje me këtë problem.

Para disa muajsh vetë kreu i këtij komisariati premtoi se shumë shpejt këtyre automjeteve do t’u gjendet një vend i përshtatshëm, por siç shihet këto automjete qëndrojnë në anë të kësaj rruge prej më shumë se dhjetë muajsh duke zaptuar një pjesë të mirë të saj./tvklan.al

Gazetar: Edian Gjoni